E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha Bejme realitet endrren studentore te 45 te rinjve

45 të rinjve të kryeqytetit, u është bërë realitet ëndrra e tyre studentore. Pavarësisht rezultateve të larta në mësime, këta të rinj e patën të pamundur të fitonin një shkollë të lartë apo të avanconin studimet për master. Në pamundësi të gjetjes së një zgjidhje, ata iu drejtuan Kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha, përmes kontakteve të drejtpërdrejta apo postës elektronike. Z. Basha i cili kishte si një nga premtimet e tij elektorale, ndihmën ndaj të rinjve në pamundësi për të vijuar studimet e larta, bëri realitet ëndrrën e tyre. Falë bashkëpunimit me 3 universitete private, Universitetin Europian të Tiranës, Albanian University dhe Universitetin Ndërkombëtar të Tiranës, u mundësua nisja e studimeve bachelor, master profesional dhe shkencor për 45 të rinj të Tiranës. Kreu i Bashkisë së Tiranës u ka komunikuar sot lajmin këtyre të rinjve, të cilët duket se kishin humbur shpresat për të vijuar më tej studimet e tyre.
“Sot ka nisur rrugëtimin një ëndërr e bukur për secilën nga zonjushat dhe zotërinjtë që pres në zyrën e Kryetarit të Bashkisë, pra afro 45 ëndrra, ëndrra e jetës universitare dhe premtimit që sjell përfundimi me sukses i ciklit universitar për shanse më të mira punësimi, mirëqënieje për këta qytetarë të rinj të Tiranës, për familjet e tyre të sotme dhe familjet e tyre në të ardhmen. Unë jam i lumtur që Bashkia e Tiranës ka mundësuar përmes bashkëpunimit me universitetet e kryeqytetit shanset për arsim të lartë, për një numër të madh të të rinjve të pranishëm sot këtu si dhe për master të nivelit të parë dhe të dytë, për një numër tjetër studentësh, pikërisht në tre universitete të kryeqytetit, të cilët duhet t’i falenderoj, Universitetin Evropian të Tiranës, Albanian University dhe Universitetin Ndërkombëtar të Tiranës” – u shpreh Kryebashkiaku Basha.
Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha ka garantuar të rinjtë që vijnë nga të 11 minibashkitë e kryeqytetit, nga një diversitet gjeografik dhe social brenda qytetit e që i bashkëngjiten afro 100 mijë studentëve që studiojnë sot në Tiranë, se bashkëpunimi mes Bashkisë dhe tyre sapo ka nisur.
“Këta të rinj ndajnë me Bashkinë e Tiranës dhe me mua si Kryetar i Bashkisë, një partneritet që nis udhëtimin sot, me fillimin e studimeve për ta por që do të vazhdojë gjatë gjithë kohës së studimeve, në formën e stazheve, bashkëpunimeve të ndryshme dhe shpresojmë shumë, edhe pas përfundimit të studimeve, në shanset që do u ofrohen për punësim, pasi ju e dini që përpjekja kryesore e Bashkisë së Tiranës është e orientuar nga rritja ekonomike dhe hapja e vendeve të punës, me qëllim kryesor rritjen e mirëqenies dhe veçanërisht shanset për punësim, për rininë e kryeqytetit. Edhe për mua, sikundër edhe 45 studentët që përfitojnë sot nga këto bursa të Bashkisë së Tiranës, në bashkëpunim me universitetet jo publike që përmenda, është fillimi i një rrugëtimi dhe shpresoj që ëndrra e tyre universitare dhe ëndrra të tjera që do të “gatuhen” në bankat e universiteteve, të jenë një investim më i mirë i mundshëm për ata personalisht, për familjet, për qytetin dhe i garantoj për mbështetjen e plotë edhe në të ardhmen, ata dhe familjet e tyre”, vlerësoi Basha.
I pyetur për Kartën e Studentit, Kryebashkiaku Lulzim Basha ka bërë të ditur se aktualisht janë shpërndarë 1000 karta, nga 1200 aplikime. Kryetari i Bashkisë u bëri thirrje të rinjve, të aplikojnë për të përfituar nga lehtësirat që krijon të pasurit e një Karte, sikundër garantoi se së shpejti do të nënshkruhet marrëveshje edhe me universitetet private, për Kartën e Studentit.
“Unë, sikundër theksova dje në “Tirana Business University”, pres me padurim që të nënshkruaj të njëjtën marrëveshje edhe me universitetet jo publike, në mënyrë që aksesi në të dhënat e studentëve i cili është i domosdoshëm për nisjen e procesit, të mundësojë instalimin e makinerive edhe në universitetet jo publike dhe Bashkia do ta ofrojë këtë shërbim për të gjithë studentët, kudo që ndodhen. Procesi i aplikimit dhe i marrjes së Kartës është falas, kapacitetet prodhuese të Kartës janë të plota dhe gjatë muajve të verës, ne kemi përfituar për të nënshkruar një numër marrëveshjesh me zinxhir supermarketesh, me operatorë financiarë, banka, besoj së shpejti edhe me rrjetin e parë të telekomunikacionit celular dhe besoj se kjo do i hapë rrugë edhe hapit tjetër, përfundimit të procesit, pse jo me të gjithë bankat e nivelit të dytë, me të katër operatorët celularë dhe me një numër edhe më të madh rrjetesh tregtare në qytetin e Tiranës. Të gjithë institucionet publike që janë kontaktuar kanë dhënë diskonto të ndryshme, deri edhe në hyrje, pra procesi ka nisur mirë, po ecën mbarë dhe jam i bindur që me një ndërgjegjësim më të madh të studentëve dhe aplikime pranë pikave të aplikimit, ne do të mund të përmbyllim procesin me të gjithë parametrat e premtuar”, deklaroi kryebashkiaku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›