E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Biometrike dhe për azilkërkuesit e huaj

TIRANE-"Përshendes faktin që bëhemi i pari vend në Evropë, ku azilkërkuesit e huaj do të pajisen me dokumenta biometrike identifikimi", u shpreh sot Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, në një takim që zhvilloi sot paradite me përfaqësues të Kompanisë "Aleat".
Basha i kërkoi kompanisë respektimin me rigorozitet të afateve për prodhimin e pasaportave biometrike për qytetarët shqiptarë.
"Koha nga aplikimi për pasaporta biometrike deri te marrja e saj nga qytetarët duhet t'i përmbahet parametrave në kontratën koncensionare".
"Nga pala jonë kërkohet një korrektesi maksimale, që afatet e aplikimit normal të pasaportave si dhe dhënia e tyre të respektohen nga koncensionari", theksoi ministri Basha.

Duke shprehur mbështetjen e plotë të qeverisë për mbarëvajtjen e procesit, ministri Basha i beri apel qytetarëve që kanë aplikuar për pasaporta biometrike që të tërheqin në kohë pasaportat, pasi, sikundër tha ai, kjo do e lehtesonte me shumë procesin.

Basha kërkoi sot gjithashtu që të nisë sa më shpejt prodhimi i pasaportave dhe në 4 qëndrat konsullore në Romë, Milano, Athinë e Selanik, për tu ardhur në ndihmë emigrantëve në këto shtet për pajisjen sa më lehtë me pasaporta.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›