E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Brenda 10 muajve Tirana do ketë një plan të ri urbanistik

08-09-2011 / Gazeta 55

Plani i ri Urbanistik i kryeqytetit do të zgjidhë çështjen e unazës së Madhe, parkingjeve dhe tramvajit për Tiranën


Kryetari i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha deklaroi sot se kryeqyteti do ketë një plan rregullues brenda 10 muajve të ardhshëm. Duke folur në takimin e zhvilluar në bashki, për Planin Urbanistik të Tiranës, kryebashkiaku Basha tha se qyteti përballet me sfida të shumta dhe një ndër to është plani i ri urbanistik, që është në interes të qytetarëve. “Do të zgjidhim konfliktin artificial të krijuar prej vitesh. Tiranës i ka munguar një plan urbanistik. Ky Plan Urbanistik mungon prej 10 vjetësh. Por ne pas 10 muajsh do kemi një plan urbanistik”- u shpreh kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha. Ai theksoi se plani urbanistik prodhon zhvillim për vendin dhe nëpërmjet tij, Bashkia kërkon tu vijë në ndihmë grupeve në nevojë. “Do kemi bashkëpunim me botën akademike. Hartimi i planit është i hapur ndaj opinioneve”- tha Basha. Sipas tij, plani urbanistik do të kalojë në disa faza dhe tashmë është koha që Tirana të ketë infrastrukturë të re. Kryebashkiaku Basha tha se plani i ri urbanistik i kryeqytetit do të zgjidhë çështjen e unazës së Madhe, parkingjeve dhe tramvajit për Tiranën. “Ka ardhur koha që Tirana të ketë ambicien e plotë të zhvillimit të infrastrukturës, siç janë Unaza e Madhe, tramvaji dhe parkingjet nëntokësore të cilat do të mëshirojnë ambiciet bashkohore të qytetit tonë”- ka theksuar Basha. Sipas kryebashkiakut, plani i ri është i domosdoshëm për vetë faktin edhe të rritjes së popullsisë së kryeqytetit që sipas tij ka pasur edhe efektet negative si në infrastrukturë ashtu edhe në trafik dhe në mjedis. Basha kerkoi bashkëpunimin jo vetëm të ekpertëve dhe botës akademike por edhe të qytetarëve në mënyrë që gjatë muajit maji të ketë një produkt të gatshëm për zhvillimin urban të qytetit. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të grupeve të interesit, për të dhënë opinionet e tyre, rreth këtij plani që do t’i shërbejë në të ardhmen kryeqytetit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›