E Diel, 1 Nëntor 2026

Letra/Pikëpamjet e një „politikani“ për moralizuesit e fshehtë të enverizmit

08-09-2011 / Gazeta 55

Ndjek në çdo numër “55-n”, si ish-i përndjekur politik, që nuk kemi  një gazetë tonën si „Liria“, që u mbyll kur Shoqata Kombëtare, për interesa të ish-kryetarit, e hëngri karremin dhe u bashkua me tregishtorët e komiteteve revolucionare të shpëtimit publik të  Vlorës e të rrethinave të saj. Si i gjithë populli, ramë  në breshër. Të përndjekurit, u ndanë në katër shoqata. Kryetari u bë i dypushtetshëm (në shoqatë dhe në Institutin e Integrimit). U pasurua për vete dhe për një klikë rreth tij, që numërohej me gishtat e duarve. Kjo qé e vetmja “reformë” që bëri pushteti i pasnëntëdhjeteshtatës për ish - të përndjekurit. Majmën një individ me një klikë vocrrake rreth tij për të mashtruar ish-të përndjekurit. Ai breshëri që përmenda, nuk është një shprehje ima. Vetë Edi Rama e ka përshkruar atë tetëvjeçarin e sundimit të të korruptuarve (1997-2005), si një regjim të hurit e të litarit, me ngjyra të zeza sterrë. Sa për të marrë ofiqin e kryetarit të PS-së nga ish-kryetari i saj, i cili mallkoi veten që  “ish-antikomunistin e penduar” e solli nga stallat e kuajve të Parisit, për ta bërë PS-në kashtë e koqe, si përçarës i zanatit që qé (dhe është).
***
Gjatë kohës së diktaturës kam pas punuar si elektro-auto, motorist dhe gjenerik. Për shkak të vëllait të gjyshit, të dënuar me burgim të përjetshëm, nuk shiheshim me sy të mirë, por kishte edhe më keq. U martova me një vajzë të vetme. Pata edhe një djalë. Kur fëmija u bë katër vjeç, më ndodhi një tersllëk. Ishim një shoqëri katër djemsh, që pinim së bashku, kur merrnim rrogën. Njëri ndër shokët tanë nuk e uli mjaftueshëm zërin në pijetore kur na tha se kishte dëgjuar nga një ndihmëse e kuzhinieres, brenda Bllokut, se ai i madhi ishte sëmurë. Si e qysh, sa kohë i sëmurë? – ishin muhabete që duheshin bërë me zë më të ulët. Dikush i tavolinës së afërt, në atë tymtore, na spiunoi. Na thirrën veç e veç në sigurim, te Selvia. Unë thashë se isha në banjë, kur paskësh ndodhur një muhabet i tillë. S’dinja gjë. Më kërkuan që ta jepja si deklaratë me shkrim, se isha në banjë gjatë kësaj bisede. Ua dhashë. Të tjerët hoqën të zit’ e ullirit dhe u zbërthyen. Për mua thanë se isha aty. Dhe kjo ishte e vërtetë. Në hetuesi ngula këmbë në timen, se s’dija gjë. Dhe e hëngra në një dënim më të rëndë se shokët e mi: 15 vjet burg. Tre të tjerët u dënuan me nga dhjetë, secili. Ime shoqe, bëri divorc dhe më la. Nuk vonoi të martohej me një hetues nga ata me kurs dhe djalin tim e adoptoi si të tijin ai që ia prishi mendjen gruas sime, që u largua nga shtëpia ime me gjithë çunin, duke lënë vetëm plakun me plakën. Kur dola nga burgu, pas 15 vitesh kokërr më kokërr, mendjen e kisha të merrja kontakt me tim bir, se prindët më kishin vdekur. Për ish-gruan time, as më binte ndërmend, se fajin e kisha vetë. E mora për të bukur, ndonëse që në fillim e kuptova se e kishte mendjen te mirëqenia vetjake dhe te komoditeti. Një koketë me mendjen, nga mëngjesi në darkë, te pasqyra! Më kishin thënë se edhe atij që e kishte marrë ia kishte dredhur disa herë dhe dikur kishte bërë edhe një skandal. Por, sidoqoftë, kishte gjetur tenxherja kapakun.
Im bir u rrit në një familje persekutorësh, nga thjeshtri. Se e ëma e kishte mendjen vetëm te kremërat dhe te parfumi! Djali nuk kishte dashur të bënte shkollë të lartë, se nuk ishte mësuar në një familje të re librash, por pranë mburravecësh rreth gotave të alkoolit, që tregonin qyfyre sesi i bënin të pandehurit të pohonin “fajësira” të paqena! Ish-gruaja ime nuk kishte interes për këto muhabete, se e kishte mendjen te filmat serialë me dashuriçka, që këta bandillë ua kishin gjetur marifetet për t’i parë për vete, por kishin bërë gjithato akuza, kur kishin zënë të tjerët me antena të sajuara. Në këto mjedise u rrit djali im. Ai ishte bërë tornitor. I vinte ndoresh, në të vërtetë për punët e zanateve, por me mua nuk i pranonte takimet. Kisha vendosur ta bëja për vete. Që të përdor një fjalë të madhe, doja ta ç’indoktrinoja. Sido që nuk i duronte ato muhabetet e persekutorëve në shtëpinë e tij, prapë se prapë i ishte bërë mendja sallatë me mrekullitë që kishte bërë shoku Enver për fanarin e vetëm ndriçues të internacionalizmit proletar në Europë. Erdhi një kohë kur edhe qumështi, edhe veza mezi gjendeshin. Por ai nuk i kishte këto probleme në shtëpinë e tij. Se “babai” i tanishëm i kishte dhënë kaq shoqërisë sa te merrte jashtë radhës dhe të mos guxonte njeri që t’ia përfliste këto privilegje të diktaturës së proletariatit. Sa për këtë diktaturë të proletariatit, im bir e shihte klasën punëtore çdo ditë në uzinë, me gazetat që hapeshin në vakt dreke, me ndonjë domate dhe me bukën që binte era myk!
Por ndërkaq po afroheshin vitet nëntëdhjetë dhe po u hapej goja disave që kishin qenë të druajtur, disi. Në shtëpinë e thjeshtrit, kryetarit të familjes po i hynte lepuri në bark. Ishte koha kur im bir pranonte të bisedonte me mua. Në bisedë, donte të dinte se përse isha dënuar. Kur i thashë përse, mbeti si i menduar nga përgjigjja ime: - Nuk doja të denoncoja ç’kishte thënë një shoku im! - i thashë. - Ç’kishte thënë? - Kishte thënë se kishte marrë vesh se shoku Enver na paskësh qenë sëmurë! Ndërkohë grindjet në shtëpinë e tij shtoheshin si tepër, kur ndiheshin jehonat e bubullimës për një sistem të ri shoqëror. Një ditë prej ditësh kishte plasur një sherr dhe im bir iku tërë nerva nga shtëpia. Erdhi të rrinte me mua. Kisha sajuar një ndërtesë të vogël, me duart e mia. Në burg kisha punuar edhe si murator. E ëma kishte dashur ta mbante me “mirësinë” e saj, por ai ia dinte shumë mirë lojërat. - Ti atë farë burri e ke dashur vetëm për interes, - i kishte thënë i biri. I ati e kishte shpronësuar si bir. Këtij kaq i bënte. Ja që shpesh gjynahet lahen edhe këtu, në tokë. Atij që “e kishte shpronësuar” i bie një hemorragji cerebrale që nuk e la në vend, por e bëri të zvarritej dhe të lëngonte. Ndërkaq e shoqja, duke përfituar nga lëngata e të shoqit, e sillte edhe jaranin në shtëpi, në odën tjetër. Njëherë, ashtu me të keq, burri kishte vajtur në dhomën tjetër dhe e kishte gjetur gruan në një gjendje që s’dinte si të shfajësohej. I tradhtuari i ishte drejtuar tjetrit: - Po paske qenë i poshtër, bre. Unë të pranoja në shtëpi si koleg e si mik. Ti e kishe mendjen tek ime shoqe!
***
Tani merrem me biznes dhe im bir më ndihmon, se i vjen ndoresh për punët e biznesit. Kemi një biznes të mesëm të përbashkët, por jemi mirë në gjendje, me shtëpi dhe me të ardhura. Burgun e kisha ngrënë pa qenë politikan dhe as tani nuk më intereson  shumë politika. Por nuk i duroj dot ata bashkëvuajtës që bëjne politikën e persekutorëve! Njëri prej këtyre, bën një politikë të shtrembër, në dobi të ish-kryetarit të Shoqatës dhe të ish-kryetarit të Institutit të Integrimit, që është bërë milioner jo nga pronat apo nga ndonjë biznes. Ai vetë “ideologu” bën edhe politikën e Edi Ramës, tërthorazi, por në mënyrë trashanike! “Teoria” e tij mbushet me fraza me terma të panevojshëm, si konglomerate e të tjera, kur e ka fjalën për diversitetin. Nuk ka nevojë të na shpjegojë ai se ish-të vuajturit nga diktatura, kanë pikëpamje të ndryshme. Është e tepërt, madje, të na thotë se Xhelal Koprencka dhe Vangjel Lezha e Fadil Kokomani kanë pasur diversitete mendimesh mbi shoqërinë dhe të ardhmen e Shqipërisë. Por as i pari, as dy të tjerët, nuk kanë thënë rroftë Enver Hoxha, para plotonit të ekzekutimit. Përveç diversitetit kemi edhe një element kryesor, që e harron artikullshkruesi. Të tre janë torturuar nga regjimi i Enverit. Muhabeti mbaron, nëse ai teoricieni i konglomerateve është në gjendje të kuptojë se “e majta” jonë, e kryesuar nga Edi Rama, nuk ëshhtë e majtë europiane, duke qenë njëherësh edhe enveriste. Dhe është e tillë. (Edhe një javë na ndan nga 16 shtatori. Nuk e di artikullshkruesi se ç’ndodh në këtë datë?). Pra, është staliniste, kur të majtat europiane e kanë bërë def Stalinin që në vitin 1956. Domethënë, kur është fjala për aleancat, ose je me të majtën enveriste shqiptare, që është e majta e mëkatarëve dhe e ish-bllokmenëve, që i ka mbledhur si ujët e pakët Edvini, ose je me të majtën europianiste që përfaqësohet nga Kastriot Islami, Edlira Haxhiymeri, Andis Harasani dhe të gjithë anetarët e Lëvizjes për Mendimit Ndryshe, me përjashtim të bishtpërdredhurve në këtë lëvizje.
Pra, unë jam aleat i Xhelal Koprenckës dhe, njëherësh jam aleat i Vangjel Lezhos. Jam kundërshtar i Aranit Çelës dhe i Haznedarit. Diversitetet njerëzore nuk e prishin aleancën, Jam aleat edhe i I. Metës, sepse LSI ka atë I-në brenda, që do të thotë integrim Unë votoj për PD-në! Po ti, i dashur bashkëvuajtësi im, për kë voton? Nëse voton për Edvinin, a mund të më argumentosh, si mësues i vizatimit që ke qenë, se ç’ka bërë për artistët i preferuari yt, kur ishte në krye të dikasterit të artistëve? Përveç nxjerrjes së dhunshme nga greva e përgjithshme...
Ish-i përndjekur politik
Nikollaq l.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›