Basha: Brenda 2010 do të kemi sistem adresash
Brenda muajit qershor të vitit të ardhshëm, Shqipëria do të ketë një sistem plotësisht të konsoliduar dhe funksional adresash. Këtë e deklaroi ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, gjatë një vizite të realizuar dje në qytetin e Peshkopisë. Në këtë vizitë ai shoqërohej edhe nga shefi i delegacionit të Komisionit Europian, ambasadori Helmuth Lohan. Fillimisht ata u ndalën në Bashkinë Peshkopi, ku u njohën nga specialistë të kësaj bashkie, me sistemin e dixhitalizimit të adresave, shesheve dhe rrugëve. Sistemi u konsiderua prej tyre si tepër i plotë dhe i sigurt sipas standardeve bashkëkohore, ku KE-ja ka investuar për instalimin e tij në gjithë Shqipërinë, 2.5 milionë euro, ndërsa qeveria shqiptare 6 milionë. "Në fund të dhjetorit, tha në fjalën e tij ministri Basha, do të nisë puna për vendosjen e pllakave fosforeshente të adresave dhe rrugëve në të gjithë Shqipërinë. Edhe ambasadori Lohan, e konsideroi si një hap tepër të rëndësishëm vendosjen e adresave, ku qytetari duhet të lexojë jo vetëm emrin e rrugës, por edhe numrin e shtëpisë së tij. Ndërsa Basha tha se procesi duhet të ecë në të gjithë aksesorët e tij, ku brenda qershorit të vitit të ardhshëm Shqipëria do jetë me sistem të standardizuar unik kompjuterik adresash. Në vijim, ata vizituan Zyrën e Gjendjes Civile Peshkopi, ku vrojtuan zbatimin e projektit për modernizimin e sistemit të adresave administrative dhe ata të regjistrimit civil. Ky projekt u tha se po e çon Shqipërinë drejt sistemeve të modernizuara të adresave dhe regjistrimit civil, një sfidë thelbësore kjo, suksesi i së cilës do të ndikojë në shumë reformat ë tjera në vend.
H.L.
H.L.