E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monumenti i ri i Pavarësisë, PS-ja e Vlorës: Po zhbëhet historia

TIRANË Deklarata e kryeministrit Sali Berisha se në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë do të ngrihet një Monument i ri i Pavarësisë, ka sjellë edhe reagimin e parë të PS-së Vlorë dhe Qendrës Kulturorë të këtij qyteti. Kryetari i PS-së së Vlorës, Eltar Deda, deklaroi dje se historia nuk mund të zhbëhet. “Është provokimi më i rëndë që një Kryeministër mund t’i bëjë vendit të tij, qytetarëve të tij, me rastin e 100-vjetorit të themelimit të shtetit. Nuk mund të zhbëhet historia për të zhbërë një qytet, pasi Kryeministri prej vitesh qytetin e Vlorës e ka lënë pas dore për investimet në këtë qytet. Tashmë e ka prekur, jo vetëm qytetarët e Vlorës, jo vetëm banorët e Vlorës, por edhe gjithë kombin shqiptar në një pikë shumë të rëndësishme, që është ajo e pavarësisë dhe e krijimit të shtetit shqiptar. Qyteti i Vlorës, ai shesh, ai monument, prej shumë vitesh është kthyer në një vend pelegrinazhi për të gjithë shqiptarët, gjithë kombin shqiptar. Prandaj, ngelet detyrë e Kryeministrit që ta tërheqë atë mendim në raport me 100-vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar dhe të sqarojë gjithë popullin shqiptar se çfarë qëllimesh fshihen pas deklarimeve të tilla. E theksoj, nuk mund të zhbëhet historia vetëm për një moment”, - tha dje Deda. Ndërsa drejtori i Qendrës Kulturore, Istref Dobi, deklaroi se Vlora është qyteti ku u ngrit flamuri dhe aty duhet të përqendrohen edhe aktivitetet për Pavarësinë e Shqipërisë. ”Historia e ka treguar se ky është qyteti ku u ngrit flamuri dhe këtu duhet të përqendrohet vëmendja e aktiviteteve. Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë, është për 364 ditë, por për atë ditë Vlora duhet të jetë kryeqendra e të gjitha festimeve. Në fakt, anashkalimet po duken. Unë para tri ditësh kam kërkuar një takim me zv.ministren e kulturës, znj. Turku, dhe pres të bisedoj me të për këto probleme. Përvjetorët e tjerë, puna ka nisur rreth 1 vit më parë, sidomos në 90-vjetorin e pavarësisë, ku të gjithë ishin të angazhuar”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›