Basha: Buxheti i Tiranës për 2012 do trefishohet
Bashkia e Tiranës ka përfunduar së hartuari projekt buxhetin për vitin 2012. Kreu i këtij institucioni Lulzim Basha në një prononcim për shtyp u shpreh se buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë sa trefishi i buxhetit të më madh që ka pasur kryeqyteti në 20 vitet e fundit. Basha u shpreh ka në fokus zonat e lëna në harresë vitet e fundit.
Buxheti i vitit 2012 reflekton në radhë të parë një trefishim të investimeve publike, krahasuar me periudhën më të mirë të investimeve publike të Bashkisë së Tiranës në këto 20 vite, tha Basha. Ky është lajmi që dua të ndaj sot me banorët e Laprakës, por edhe me banorët e Shkozës, Alliasit, me banorët e lagjeve qendrore të Tiranës, por që janë ndierë periferi, sa i përket vëmendjes investuese të Bashkisë së Tiranës, shtoi ai.
Investimet kryesore ka nënvizuar Basha do të shkojnë në kuadër të punësimit, infrastrukturës dhe përmirësimit të cilësisë së jetesës. Ai bëri të ditur se para miratimit në Këshillin bashkiak, projekt buxheti do të diskutohet me qytetarët.