E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Deri në 30 shtator, përfundon procesi i legalizimit në Tiranë

TIRANE-Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikualifikimin urban të bllokut 53, në Njësinë Bashkiake Nr. 9, me sipërfaqe prej 4.5 ha. Në këtë bllok janë ndërtuar të gjitha rrugët përbërëse të tij, si rruga “Shahin Matraku”, “Petrit Caslli”, “Reshat Konçi”, ”Ndrec Ndue Gjoka” dhe Rruga Visha”.

Me një investim prej 18 milionë lekësh është ndërtuar ujësjellësi, kanalizimet e ujrave të bardha, është përmirësuar sistemi i kanalizimeve të ujërave të zeza, duke bërë të gjithë lidhjet e banesave. Janë vendosur shtylla elektrike për ndriçimin rrugor, janë zhvendosur 25 shtylla të cilat ndodheshin në mes të rrugëve.

Kryebashkiaku Basha e ka konsideruar këtë investim, i cili shtrihet në një bllok të ri banimi, si vepër e përkushtimit ndaj qytetarëve. Ai tha se, “përkushtimi ndaj qytetarëve nuk tregohet me fjalë, por tregohet me vepra. "Sot përurojmë përfundimin e punimeve për një bllok prej 4.5 ha që u shërben 4 mijë banorëve të një zone të ndërtuar vitet e fundit, të lënë tërësisht në harresë dhe pa asnjë investim për më shumë se 15 vjet. Kjo është natyrisht një provë e qartë e përkushtimit tonë, për të shtrirë investimet në çdo cep të qytetit të Tiranës”, u shpreh Basha.

Gjithashtu kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka garantuar banorët, se brenda datës 30 shtator do të mbyllet edhe procesi i legalizimit, proces në të cilin ka marrë së fundmi përgjegjësitë e saj edhe bashkia.

“Dua të garantoj që brenda datës 30 shtator në këtë lagje të Tiranës dhe kudo në Tiranë do të mbyllim procesin e legalizimit, duke sjellë tapitë në shtëpitë e qytetarëve. Nuk ka vend për komente të tepërta, qytetarët kanë kohë që nuk e hanë më sapunin për djathë, veprat flasin, fjalët i merr era edhe kur i shkruajnë në copa letrash”, deklaroi Basha. 

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Përfundon rikonstruksioni i rrugëve “Viktor Hygo” e “Hajdar Hidi”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›