E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimi i Enverit në diktatin e dy standardeve të të njëjtit Komb!

10-08-2013 / Gazeta 55

Mehmet Elezi në analizën e thelluar të standardit gjuhësor
 
Nga Kostaq Xoxa
 
Gjuhëtari Mehmet Elezi, në veprën e tij “Gjuha shqipe në bunker?”, është i prerë në faktin se standardi gjuhësor i ’72-shit kishte vendosur, nën diktat dhe me masa të dhunshme ndaj mendimit ndryshe, toskërishten si themel të ngrehinës së shqipes së njësuar. Autori Elezi është njohës nga më të mirët e fjalëve të rralla të gjuhës sonë dhe kryedialektin geg e njeh po aq mirë sa atë tosk. Duket se kjo është arsyeja thelbësore që ai është ‘puritan’, në kuptimin e mirë të fjalës, kundër përdorimit të fjalëve të huaja. Për Elezin të gjitha fjalët e huaja kanë përkatësen në gjuhën shqipe. Qysh në faqen 13 të librit të tij ai flet për fjalorin “akull lundrues” të dyshes Gazulli- Jokl. Jokli përfundoi në kampet e nazizmit. Gazulli u shua në burgjet e komunizmit. Të pesë mijë fjalët e rralla shqipe të Gazullit u mirëpritën nga Nobert Jokli dhe autori i “Bunkerit gjuhësor” e cilëson si fjalorin e parë shqip-shqip në historinë e gjuhësisë shqiptare, duke cituar edhe gjashtë fjalorë të tjerë, që nga viti 1635  gjer në vitin 1908,  që kishin qenë dygjuhësh.
Përpjekjet për një gjuhë letrare të përbashkët janë të hershme. Në faqen 36 të këtij shqyrtimi të gjatë e të thellë gjuhësor konkretizohen në vitin 1916 me Komisinë Letrare Shqipe (KLSH). E vërteta e njohur por shpesh e fshehur me qëllime bizantine – shkruan autori Elezi, - është se në mbarim të Luftës së Dytë Botërore ishin mbushur 28 vjet që gjuha shqipe zhvillohej mbi bazat e një standardi të përbashkët. Nuk ishte i përsosur, por themelet ishin hedhur prej mendjesh nga më të ndriturat e botës shqiptare dhe europiane në fushën e gjuhësisë e të albanologjisë. Ishte pranuar prej shumicës së shqiptarëve me mirvet, pa ndërhyrjen detyruese të pushtetit. Duke u lëvruar e përsosur prej gjysmës tjetër të kombit, ky  standard do të vijonte rrugën drejt përkryerjes edhe njëzet e pesë vjet të tjera, deri në konsultën e Prishtinës (1968). Qëndrueshmëria e tij iu nënshtrua kështu një prove mbi pesëdhjetëvjeçare. Kjo rrugë vijoi edhe më pas me pena të ndritshme të “gjakut të shprishur“ (diasporës) si M. Camaj. E. Koliqi. A, Pipa, të jugorit T. Zavalani e të tjerë. Në përbërje të Komisisë Letrare Shqipe ishin figura madhore të kulturës e gjuhësisë prej krahinave të ndryshme në Veri e në Jug të vendit (Përmenden emrat e 17 anëtarëve). Ishin edhe dy albanologë, gjuhëtarë të mëdhenj europianë: vjenezi Maximilian Lambertz dhe akademiku Rajko Nechtingall i Gracit (Austri). Si themel të ortografisë u mor dialekti i Elbasanit, me disa ndryshime. Fishta shfaqi pëlqimin e tij të plotë.
A.Xhuvani – vazhdon autori - ishte kampion i rrugës së mesme dhe, meqë u pranuan edhe vërejtjet e S. Rizës, “ prapavija e vendimeve të Komisisë po pasurohej vetvetishëm me vlerat më të hijshme të gjuhës shqipe të dialekteve të tjera. Vijmë në f. 40, ku lexojmë: Kongresi Arsimor i Lushnjës (1920) pranoi tërësisht vendimet e KLSH-së, për gjuhen letrare dhe për drejtshkrimin. Dhe nuk pati kurrfarë urdhri politik të qenësishëm. Kur Ahmet Zogu erdhi në fuqi  1925), pas Kongresit të Lushnjës, ministri i Arsimit (Sotir Peci) e shpërnguli Komisinë në Tiranë, ku kishte nisur botimi i teksteve sipas kritereve të Komisisë. Varianti gjuhësor sipas drejtshkrimit të përpunuar e të këshilluar  prej Komisisë Letrare Shqipe të Shkodrës, u shtri në administratën shtetërore në shkolla. Shkrimtarët vazhdojnë me shkrue në dialektet e tyre. Vërehet te Fishta, Konica, Mjeda, Noli, Migjeni, L. Poradeci e të tjerë. Citojmë, më tej: Pjesa më e madhe e shtypit vazhdoi me dalë në toskërisht, pra në dialekt, çka nuk mund të ndodhte kurrqysh më pas, në diktaturën komuniste. Kjo tregon se në kohën e mbretit Zog  vendi kishte liri. Gjatë qeverisjes se A. Zogut përpjekjet për një gjuhë të njësuar në të njëjtën udhë nuk reshtën. Më 18 nëntor 1918, më urdhër të kryeministrisë, Ministria e Arsimit formoi një akademi Letrare për këtë qëllim. Në parim ishte vendosur me u ndjekë rruga e Komisisë Letrare Shqipe të Shkodrës. Sesa e  njëmendtë ishte kjo rrekje, mund të gjykohet nga figurat që e përbënin akademinë. Në krye të  Komisionit  kish qenë një personalitet i madh i gjuhësisë, M. Lambertz. Akademinë e kryesonte tashti albanologu dhe ballkanologu gjerman, G. Weigand. Figura të tjera vinin nga i gjithë vendi: Mehdi Frashëri, Mit’hat Frashëri, Hilë Mosi, Karl Gurakuqi, Mati Logoreci... 7 vjet më pas, më 1935, ministria e Arsimit krijon një Komision të posaçëm për çështje të ortografisë dhe të gjuhës. Personalitetet : A. Xhuvani, E. Çabej, Gj. Kokoshi, Karl Gurakuqi, Kolë Kamsi, Mati Logoreci, Namik Resuli... Për pastrimin e toponamistikës nga ana e Zogut, autori na vë ne dijeni se emërvendet që na kishin vënë pushtuesit, do të zëvendësoheshin me ato të gjuhës shqipe. Në  maj 1937 u botua në “Fletoren Zyrtare” ligji mbi ndryshimin e emrave të disa qyteteve, katundeve, lagjeve, lumenjve etj.” Pas dhjetë muajve, më 10 korrik 1918, Këshilli i Ministrave miraton ndryshimin e emrave me origjinë të huaj Për kundravajtësit caktohen sanksione ligjore.
Duke ndjekur fillin e mendimit të M, Elezit, gjer këtu, vërejmë tri gjera: 1. Ai përdor paskajoren, me lehtësinë më të madhe. Nuk prish punë aspak se ‘pjesorja’ është gege. 2. “Çuditërisht” ai përdor gjuhën me themel toskërishten, - atë që u vendos në standardin nën diktat - gjë të cilën e kritikon me ashpërsinë më të prerë (Mos bie në kundërthënie? – Aspak, siç do ta shohim). 3. Mbreti Zog del në një rrafsh të panjohur nga “historianë” që njollosën historiografinë dogmatike, në shumë fakte që përfundojnë në një sentencë: “Në kohën e mbretit Zog vendi kishte liri”. Do të shohim, për krahasim, edhe krimin historik gjuhësor që kishte bërë Enveri në diktatin e dy standardeve të të njëjtit komb, që është vënë si titull  i këtij shkrimi. Kjo është një risi e jashtëzakonshme e librit “Gjuha shqipe në bunker?” e gjuhëtarit tonë me njohje si rrallëkush të gjuhësisë si shkencë e mirëfillte por, sidomos, me njohjen ekskluzive (të më falë autori për këtë cak të huaj) të fjalëve të rralla thjesht shqipe. Disa nga këto fjalë mund të jenë të panjohura në përkitje me fjalën përkatëse të huaj, por autori mëton që të përdoren edhe kllapat sqaruese. Ndërkaq duhet thënë edhe ajo tjetra, se përpjekjet për të zgjeruar  në mënyrë vetjake numrin e fjalëve me burim të sigurt të shqipes, janë mjaft të pakta.
***
Tani vijmë në temën përvëluese të shkrimit tonë, në atë që përligj temën e këtij shkrimi, Shfaktorizimin e Shkodrës e Krejt Veriut, si qendër e përpjekjeve të gjithë shqiptarëve për ta kthyer Shqipërinë kah vlerat kombëtare, kah Perëndimi (f. 56-57). Alibi e këtij shkatërrimi do të shërbente çiftelia me rapsodët zyrtarë me këngë të tipit “lum si na që rrojmë në Pukë” (76). Në faqen tjetër përmendet ajo thënia “për inat të sime ré, tim bir e shtifsha në dhé!” (77), me shpjegimin “Udhëheqja komuniste ishte gati me shti ne dhé “bir” e gjithkënd, për ta ushqyer me vdekjen e tyre jetën e pushtetit të vet (po aty). Kjo faqe mbyllet me: Meritat e diktatorit për “njësimin” e gjuhës shqipe janë pak a shumë si meritat e një vrasësi që e përcjell te kirurgu viktimën e tij në hjekë, pasi e ka larë në gjak. Më tej citohet R. Ismajli për t’i afruar sa më shumë zgjidhjet e adoptuara me ato që ishin shpallur në Tiranë... Sipas Ismajlit, opinioni publik shqiptar në ish-Jugosllavi më 1968 ishte i përgatitur me pranue zgjidhje që ishin bërë gati në Tiranë (79). Përmenden edhe albanologë të tjerë (A. Hadri, I. Ajeti, F. Agani), me theks te drejtshkrimi i përbashkët. Autori i librit na shpjegon se, pas rënies së Rankoviçit, u shfrytëzuan disa hapësira legale për mbështetjen e këtyre zhvillimeve.. Pra, autori i “Bunkerizimit” në lidhje me orvatjet për kapërcimin e pengesave, flet për një “heroizëm intelektual” (kosovar), i cili deri më sot, nuk është vënë në dukje në përmasat e njëmendta”(80). Vërehet: “Nëse duhej favorizuar domosdo toskërishtja, le t’i mbahej ana asaj. Por kjo krahëmbajtje le të bëhet me zgjidhje gjithëpërfshirëse (këtu përmenden edhe përpjekjet e S. Rizës). M. Elezi e quan të dhimbshme e shtrimëruese (dekurajuese siç do të thoshim né që nuk jemi të kujdesshëm në prefikset mohuese shqipe) puna e dijetarëve kosovarë për gjuhën shqipe, që nuk vlerësohej sadopak në Tiranë. Nuk jepej asnjë njoftim për udhën që po ndiqnin, as për veprimtarinë për planifikimin e gjuhës. Një qëndrimi i tillë i Tiranës zyrtare në fushën e gjuhës  përcillte një kumt ndjellakeq. U thoshte shqiptarëve të Kosovës: bëni ç’ të doni, ju keni udhën tuaj, ne s’duam t’ia dimë si do të veproni ju për gjuhën. U thoshte organeve kompetente të Beogradit: Kosova e viset e tjera shqiptare në Jugosllavi janë çështje të brendshme tuajat, merruni me to (81). Këtu na intereson ajo që mund të quhet argumenti i N. Malcolmit: PKSH nuk ishte më shumë se një seksion vendor i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, pak a shumë një parti kukull e Titos”. Për E. Hoxhën kishte rëndësi vetëm pushteti i tij (vetjak). Akademiku britanik i quante këto, “raportet e llojit të padronit me shërbëtorin, që ishin vendosur ndërmjet Titos dhe Enverit, të pandërprera gjatë luftës dhe që vazhduan edhe pas ’45-s, deri në vitin 1948, “në të cilin mbështeste, me gjithë zemër, idenë e bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë dhe e luste Titon që të që të merrte më shumë masa konkrete për realizimin e këtij synimi”.
Interesante dhe simptomatike e kohës, sado groteske që të duket,  që ndërrohen edhe vargjet e një kënge lirike si ““M’ka shkue mendja me u fejue / e me marrë nji ulqinak,,,”, me “M’ka shkue mendja me u fejue / e me marrë  nji djalë beqar... (“ lumturia e një vajze shqiptare: boll mos me marrë një burrë të martuar!” - ironia e autorit). Dhe strategjia e këtyre veprimeve antikombëtare përmblidhen në këta rreshta lapidarë: “Të dhënat deshmojnë se strategjia zyrtare kishte qenë me i lanë shqiptarët në ish-Jugosllavi me ndjekë një udhë të tyren edhe në standardin gjuhësor. Një udhë e tillë do të çonte drejt ndarjes së shqipes në “dy gjuhë”. Dhe një ndarje e gjuhës do të thoshte copëtim përfundimtar e i pandreqshëm i kombit.
Synimi ishte që Shqipëria e Kosova të ndiqnin politika të ndryshme gjuhësore, duke u larguar po përfundimisht prej njëra-tjetrës. Në Shqipëri do të standardizohej toskërishtja; viset shqiptare në ish-Jugosllavi do të vazhdonin me gegërishten, me një perspektivë që shqipja të ndahej artificialisht në “dy gjuhë” (84). Në librat tona të kufijve zyrtarë, kur një fjalë ishte gege, shënohej një “g”, si për shembull “lat” për latinisht! Duhet përsëritur edhe njëherë tjetër ai “kumti ndjellakeq” i M. Elezit në këtë libër. Citohet me të drejte R. Ismajli: - “Ishte vetëm vullneti i jashtëzakonshëm i shqiptarëve këndej kufirit që bëri të pamundshëm dhe e detyroi Tiranën zyrtare të delte nga lëvozhga”.
Në nëntitullin 4 të kreut IV të librit kemi “Taktikë e re pas një strategjie të dështuar”. Po e them shkurt, me fjalët e mia. Ja që në Prishtinë nuk do të pranohej krijimi i “dy gjuhëve” shqipe. Atëherë, mbetej  taktika djallëzore provokuese: Nëse dikush do të shfaqte mëdyshje, qoftë edhe për një çështje jothelbësore, atij të mos i pranohej asgjë. Me sëpatë të madhe. Do të nxitej një incident. Kështu do të bëhej “i detyrueshëm” një miratim i njëanshëm i drejtshkrimit, pa nënshkrimin e përfaqësuesve të Kosovës. Kjo do të çonte sërish në ndarjen e shqipes “në dy gjuhë”! Do të kishim  edhe një shqipe “të tradhtarëve”! Faji do t’u hidhej akademikëve kosovarë... “Lemi (kombi) shqiptar do të çahej përfundimisht Në Shqipëri do të hynte një tjetër vit i zi 1913, i pakthyeshëm”.
Ja sesi kosovarët e zgjidhën  antikombëtarizmin e “të dy gjuhëve”, duke pranuar të keqen më të vogël, - siç shprehet M. Elezi. Më mirë një gjuhë e përbashkët me themel toskërishten sesa një komb me dy gjuhë. E, përsipër, tradhtinë kombëtare! Duke e përfunduar shkrimin, do të dëshiroja të bëj një përmbledhje, duke shkuar nga shkenca gjuhësore, në politikë. Së pari: pamë të argumentuar në mënyrë të papërgënjeshtrueshme se Ahmet Zogu I, përmes faktesh konkrete, ka dhënë një kontribut atdhetar në drejtim të gjuhës së përbashkët të kombit. Së dyti, Enver Hoxha, gjithmonë në mënyrë të argumentuar, është mbuluar me damkën e tradhtisë kombëtare edhe në këtë problem tepër poshtërues për të, në funksion të ambicies së tij vetjake, si stalinist i krimeve të përbindshme. Atëherë, si mund t’i ngrihet sërish statuja këtij shkaktari të fatkeqësive të popullit shqiptar, përveç njollosjeve absurde me ditarët e Çianos, edhe me zilinë enveriste se, përderisa i ngrihet statujë Zogut, duhet t’i ngrihet edhe Enverit! Themeluesi i shtetit ligjor, pas një anarkie disavjeçare, nuk i lejoi vetes, megjithatë,  kultin e statujave siç kishte bërë Enveri, në të gjitha qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›