E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama porosit kandidatët e PS: Kujdes me të pakënaqurit nga lista

Partia Socialiste ka mbledhur dje në ambientet e Akademisë Arteve të 384 kandidatët për kryetarë të bashkive e komunave në të gjithë vendin, si dhe ata të njësive bashkiake në Tiranë. Takimi që ka nisur në orën 13.00 është drejtuar nga Rama, njëkohësisht kandidat për kryetar të Bashkisë së Tiranës, ndërsa në podium kanë qenë edhe Gramoz Ruçi dhe Blendi Klosi. Takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe në të mësohet se ka folur vetëm kreu i PS-së, i cili ka folur mbi strategjinë që do të ndjekin kandidatët socialistë gjatë gjithë kësaj fushate elektorale. Kështu, burime pranë këtij takimi kanë bërë të ditur se kryesocialisti ka porositur të përzgjedhurit në këtë garë që të përpiqen për të zbutur apo eliminuar të gjitha qejfmbetjet e atyre njerëzve që konkurruan për të qenë kandidatë, por që nuk u miratuan nga kryesia. Rama ka vlerësuar se, për të mos u përsëritur gabimet e së shkuarës, është e domosdoshme që të shmangen përçarjet mes socialistëve dhe sidomos të atyre personave të pakënaqur, pasi roli i tyre në fushatë është i rëndësishëm, pasi bëhet fjalë për njerëz që kanë mbështetje të konsiderueshëm në elektorat. Për këtë qëllim, ai ka porositur kandidatët që të nisin sa më parë takimet me këta individë për t’u marrë vesh për vijimin e fushatës. Gjithashtu, ai ka kërkuar nga ata që të koordinojnë punën me shtabet elektorale të çdo zone, ndërsa ka bërë të ditur se të gjitha zyrat elektorale do të jenë thuajse uniformë për të gjithë kandidatët, me postera gjithashtu uniformë. Një tjetër udhëzim i bërë nga Rama ka qenë edhe ai për mediatizimin e fushatës elektorale dhe për këtë kreu socialist ka kërkuar që aty ku është e mundur të frekuentohen debatet politike me kundërshtarin si dhe intervistat televizive.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›