Basha: “Do të mbrojmë çdo punonjës të administratës që do të largohet në mënyrë abuzive nga puna”

Opozita e re e së djathtës, në mbrojtje të qytetarëve dhe kundër mentalitetit antishtet të mazhorancës së re
“Mazhoranca e re do përballet me një opozitë të fortë”. Kjo është garancia që ka dhënë Lulzim Basha, gjatë fushatës për zgjedhjen e tij në krye të PD. Për Bashën, PD do të jetë një opozitë e fortë dhe ballore kundër mentalitetit antishtet të mazhorancës së re. Sipas tij, Partia Demokratike do të jetë gati që në javën e parë, për të ngritur mekanizmat e nevojshëm për të mbrojtur çdo punonjës të administratës nga largimi antiligjor nga puna. “Partia Demokratike është gati që sot, të përballet në çdo rast abuzimi me pushtetin dhe goditje të administratës publike dhe shërbimit civil, në mënyrë që për çdo rast t’u ballafaqojmë atyre faturën ligjore dhe detyrimin për t’i rikthyer në punë, faturën financiare dhe detyrimin për t’i dëmshpërblyer moralisht dhe materialisht dhe faturën morale dhe politike, për çdo akt abuzimi mbi vlerën e krijuar shoqërore të administratës publike dhe shërbimit civil në Shqipëri”- ka deklaruar z. Basha.