E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statusi i vendit kandidat në dhjetor është i mundshëm

29-07-2013 / Gazeta 55

Ambasadori Italisë në Tiranë, Masimo Gaiani
 
Ambasadori  Italian në Tiranë, Masimo Gaiani, në një intervistë televizive deklaroi se pjesëmarrja dhe sjellja e popullit shqiptar në zgjedhjet e 23 qershorit ka qenë absolutisht pozitive dhe ka dëshmuar një shpirt të madh demokratik. Sipas ambasadori Italisë në Tiranë, Masimo Gaiani procesi i integrimit europian mund të rifillojë pasi përpara zgjedhjeve u ndal nga një vonesë e ditur. “Përpara zgjedhjeve pati një vonesë në afrimin e Shqipërisë me Europën. Aprovimi i tre ligjeve dha dhe krijoi kushte të mira për ta nisur këtë rrugë. Në gjysmën e tetorit Komisioni do të paraqesë raportin e tij. Mendoj se këto muaj që janë mes marrjes së detyrës nga qeveria e re dhe vendimit të Këshillit të Europës nga fundi i dhjetorit janë thelbësore. Mendoj se është e nevojshme një vëmendje shumë e madhe për shtetin e së drejtës, për funksionimin e drejtësisë, për luftën kundër korrupsionit, luftës kundër krimit, për forcimin e administratës publike. Këto janë mes të tjerash disa nga 12 prioritetet. Mendoj se nëse do të ketë impenjim të fortë në këto sektorë, ekzistojnë të gjitha kushtet për të patur një përgjigje të favorshme nga ana e Europës. Nga ana e Italisë, ne nuk do të ndalemi së kryeri çdo veprim, por i kërkojmë Shqipërisë që të na ndihmojë dhe ta ndihmojmë”, deklaroi ai në një intervistë televizive. Sipas tij,  Italia është vendosur në favor të rrugës europiane të Shqipërisë. “Shqipëria ka bërë progres të mëdha në këto 20 vite, besojmë, pjesërisht edhe në saj të kontributit dhe ndihmës së Italisë. Ne jemi të bindur absolutisht për vendin që Shqipëria duhet të zërë në Europë. Logjikisht do të jetë një vendim i karakterit të përgjithshëm. Ne do të jemi avokatët e Shqipërisë, por e rëndësishme është që të kemi elementët për ta vlerësuar”, theksoi ai. Në fund të prononcimit të tij, ambasadori italian Gaiani vuri në dukje se, ekzistojnë kushtet e marrjes së statusit të vendit kandidat në muajin dhjetor. “Mendoj se kushtet ekzistojnë. Nëse muajt përpara nesh do të përdoren plotësisht për të përmirësuar shtetin e së drejtës, për të forcuar drejtësinë, për të luftuar korrupsionin dhe krimin, shanset janë shumë të mëdha. Procesi zgjedhor shkoi shumë mirë dhe do të jetë sigurisht një faktor që do të peshojë shumë në vendimin e dhjetorit. Por ka shumë gjëra të tjera që duhet të përmbushen dhe shumë do të varet se si do të përdoret kjo periudhë, nga tani deri në  fund të dhjetorit”, përfundoi Gaiani. Edhe Presidenca e Bashkimit Evropian u shpreh dy ditë më parë se, është e gatshme të punojë me autoritetet shqiptare për ta mbyllur brenda 6-mujorit të saj dhënien e statusit të vendit kandidat. Shefi i presidencës lituaneze, ministri i Jashtëm, Linas Linkevicius, u shpreh se për t’ia arritur këtij qëllimi, nga Tirana zyrtare kërkohet tranzicion i qetë i pushtetit, përgjegjësi e të gjithë faktorëve politikë dhe vazhdim të reformave, të cilat janë jetike për institucionet demokratike dhe jetën e qytetarëve. “Ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën tonë, siç e thashë, të jemi konstruktivë, pozitivë, jo neutralë, megjithëse zakonisht Presidenca duhet të jetë neutrale. Ne do të kemi një përfshirje pozitive në këtë proces. Shqipëria kaloi një test shumë të rëndësishëm, atë të zgjedhjeve, ne i kemi ndjekur ato nga afër. Tani ajo ka një tjetër test, një tranzicion të qetë. Në këtë rast, gjatë presidencës sonë ne besojmë se do të ecim përpara në mënyrë përfundimtare me statusin” - tha Linkevicius. I pyetur se çfarë nevojitet të bëhet nga Tirana në mënyrë që statusi i vendit kandidat të merret në dhjetor ai tha se “të gjitha partitë politike në Shqipëri duhet të marrin përsipër përgjegjesinë e tyre e të bien dakord për të bërë reformat e domosdoshme, në mënyrë që të jemi të sigurt dhe t’i jepet vendit një imazh i besueshëm për t’u integruar në BE”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›