Basha: Do vazhdoj të jem ministër
TIRANË- Ministri i Punëve të Jashtme, Lulëzim Basha do të vazhdojë të ushtrojë detyrën në krye të dikasterit që ai drejton. Në përgjigje të kërkesës së opozitës për dhënien e dorëheqjes pas zhveshjes nga imuniteti, Basha tha se kjo çështje nuk do të ketë asnjë ndikim në punën e tij. "Motivi dhe historia e kësaj çështjeje kanë qenë të njohura kohë më përpara, jo vetëm nga qytetarët shqiptarë, por edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët e njohin Shqipërinë prej shumë kohësh dhe, në këtë kuadër, nuk do të ketë asnjë ndikim as në përkushtimin tim dhe as në axhendën time diplomatike",- tha Basha. I pyetur nëse mendonte se hetimet për rrugën Durrës-Kukës do të ngadalësonin punimet, ministri i Jashtëm theksoi se, "nuk besoj se do të kenë ndonjë efekt. Siç u shpreha dhe dje, asgjë nuk mund të ndalojë më punimet në rrugën Durrës-Kukës". Lulëzim Basha u zhvesh nga imuniteti dy ditë më parë nga Kuvendi, me një numër të konsiderueshëm votash. Ai u votua kundër heqjes së imunitetit vetëm nga demokristianët dhe disa deputetë të Partisë Demokratike.