LSI: Kufizimi i imunitetit, vetëm me ndryshim të Kushtetutës
PD e LSI, nuk bien dakord në rrugën ligjore që duhet ndjekur për kufizimin e imunitetit
TIRANË- Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim bien në një pikë dakord, pikërisht për kufizimin e imunitetit të deputetit. Por ajo që i ndan, dhe jo pak, është rruga ligjore që do të ndiqet për një nisëm të tillë. LSI kërkon ndryshime në Kushtetutë për realizimin e kësaj nisme, pasi çështja e imunitetit të deputetit është e parashikuar në dokumentin themeltar. Në Kushtetutë citohen qartë rrugët se kur i hiqet imuniteti një deputeti. Ndërsa Partia Demokratike kërkon që kufizimi i imunitetit të kalojë përmes një projektligji të përgatitur nga vetë ajo. Zv-kryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi ka deklaruar dje në një konferencë për shtyp se, kufizimi i imunitetit të deputetit mund të bëhet vetëm përmes rishikimit të Kushtetutës. "Ne si LSI e konsiderojmë veten si deputetë pa imunitet. Ne kemi rënë dakord që të shqyrtohet projekti lidhur me kufizimin e imunitetit te deputetëve për çështje të caktuara sikurse janë abuzimet e rënda, apo për akuza korruptive. Por të gjitha këto të shoqërohen brenda një procesi ligjor, institucional, dhe natyrisht jo në një mënyrë vullnetariste sikurse kërkoi dje z. Berisha. Kjo është qesharake, kjo nuk është institucionale dhe ul në radhë të parë prestigjin e qeverisë dhe të kryetarit të saj. Pra, LSI mbështet atë vullnet politik i cili nuk vjen si pasojë e momenteve të fundit, por vjen si rezultat i diskutimeve të gjata dhe koherente të cilat kanë një vijueshmëri institucionale"-, tha Xhufi. Nënkryetari i LSI-së shtoi se, pikërisht për kufizimin e imunitetit të deputetit, mund të rishikohet Kushtetuta. Ndërkohë, Partia Demokratike vazhdon të këmbëngulë se kufizimi i imunitetit të deputetit duhet të vijë përmes një projektligji. Duke marrë të mirëqenë deklaratën e dy ditëve më parë në Kuvend të kryetarit të grupit parlamentar të LSI-së, Sabit Brokaj, se për kufizimin e imunitetit të deputetit duhen vetëm disa ndryshime ligjore, kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi i ka bërë thirrje të gjitha grupeve të tjera të opozitës që t'i bashkohen kësaj nisme në mënyrë që, sipas tij, të arrihet një tjetër standard, si ai që u vendos në Parlament për heqjen e imunitetit të një prej deputetëve të PD-së.