E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna në familje, PS nismë për dënimin maksimal

Projektligji pritet t'i paraqitet Kuvendit për diskutim dhe më pas për miratim
TIRANË- Fillimviti i ardhshëm pritet të jetë tepër aktiv për Partinë Socialiste në betejën e saj opozitare. Ndryshe nga viti që po lëmë pas, për vitin e ardhshëm socialistët kanë parashikuar që përveç oponencës së tyre parlamentare, duke kritikuar nismat vendimmarrëse të qeverisë, të paraqesin në Kuvend edhe alternativat e saj ligjore. Projektligji i parë që pritet t'i paraqitet Kuvendit për diskutim dhe më pas për miratim do të jetë pikërisht ai që ka të bëjë me marrjen e masave parandaluese të dhunës në familje. Për këtë qëllim, specialistë të fushës juridike pranë PS-së janë duke hartuar një projektligj për ndryshimin në Kodin Penal me qëllim ashpërsimin e masave ndaj të gjitha rasteve të dhunës në familje. Kreu i Komisionit të Posaçëm për Çështjet Ligjore pranë Asamblesë Kombëtare të PS-së, Ylli Manjani ka bërë të ditur dje se, socialistët kanë vendosur të paraqesin për miratim në Kuvend një projektligj të veçantë me qëllim kufizimin e saj. "Sigurisht që keqqeverisja ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në shtimin e rasteve të dhunës në familje, në të gjitha format e saj, duke filluar nga kanosjet e deri te vrasjet. Kultura e mosndëshkimit të dhunuesve të familjarëve, për fat të keq, ka fituar terren. Parandalimi i rasteve të dhunës në familje është inekzistent. PS, nëpërmjet grupit të saj kuvendor do të depozitojë në seancën e parë kuvendore të vitit të ardhshëm, nismën e saj ligjvënëse për disa shtesa e ndryshime në Kodin Penal të Republikës",- u shpreh Ylli Manjani. Ky projektligj, sipas tij, do të synojë heqjen e çdo justifikimi apo alibie të gjykatësve dhe prokurorëve të Republikës, për mungesë legjislacioni që ndëshkon dhunën në familje. "Ne jemi për ndëshkim maksimal të të gjithë dhunuesve që fyejnë, kërcënojnë, rrahin apo më keq akoma vrasin familjarët e tyre",- u shpreh Manjani. Gjithashtu grupi kuvendor i PS-së do të propozojë edhe disa ndryshime në ligjin "Për Masa Ndaj Dhunës në Marrëdhëniet Familjare", duke synuar forcimin e përgjegjësive të qeverisjes së vendit për ndalimin e dhunës në familje, si dhe rritjen e aftësive parandaluese të shtetit në ndalimin e kësaj lufte.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›