E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Duhet të mbyllim kapitullin e abuzimit me çmimet

 Ai ka parë nga afër situatën e çmimeve në tregjet me shumicë tek ish - Uzina “Dinamo” dhe tregu “Avni Rustemi”.

Edhe gjatë ditës së sotme, çmimet në tregje nuk kanë patur  rritje abuzive, madje ka vazhduar tendenca në rënie e çmimit të disa produkteve. Basha e ka konsideruar suksesin e deritanishëm inkurajues, sikundër nënvizoi se java e ardhshme është vendimtare, për të parë nëse kjo përqasje ka dhënë sukses të plotë. “Unë kam besim të plotë, se me të njëjtin vetëdijesim që tregtarët këtu dhe i gjithë zinxhiri deri tek grosistët kanë reaguar ndaj këtij shqetësimi legjitim të qytetarëve, të cilin sot e përfaqëson Bashkia nëpërmjet inspektimeve të saj, do të vazhdojë edhe këtë javë dhe që çmimet do të mbeten në suazën, kuadrin e çmimeve normale”, tha Basha.

Kryebashkiaku ka shprehur vendosmërinë për të vazhduar me monitorimin dhe masat që parashikon ligji, në mënyrë që këtë vit të mbyllet kapitulli i abuzimit me çmimet në Tiranë.

“Në çdo rast, ne jemi të gatshëm të bëjmë punën tonë, nëpërmjet një pranie tashmë të dyfishuar në të gjithë tregjet, nga mëngjesi deri në darkë të të gjithë niveleve, duke përfshirë Nënkryetarin Panariti, mua personalisht, në mënyrë që qytetarët e Tiranës të mos kenë rritjen e çmimit këtë vit dhe të mbyllim një kapitull turpi unik në rajon e për të hapur një kapitull të një marrëdhënie të re, midis konsumatorit dhe tregtarit, midis Bashkisë së Tiranës, tregjeve dhe konsumatorëve të Tiranës”, theksoi Basha.

 I pyetur për informalitetin, kreu i bashkisë së kryeqytetit, tha se “informaliteti është një formë e dëmtimit të konkurrencës. Ne do I futemi punës për të licencuar të gjithë tregtarët që e kërkojnë këtë licencim, por natyrisht informaliteti nuk do të tolerohet”./Start/

                                                                                             2011-12-23 13:39
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›