E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: “Figura e Godos, frymëzim për vendimet e drejta për vendin e kombin

11-05-2013 / Gazeta 55

Përurohet busti i Sabri Godos në Tiranë

Qyteti i Tiranës do të ketë prej dje bustin e një prej politikanëve më të njohur në Shqipëri, ish-deputetit tё Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura, shkrimtarit dhe skenaristit z. Sabri Godo. Për Kryetarin e Bashkisë, imazhi i Godos, i përjetësuar në mermer do të vlejë si një shtysë drejt marrjes së vendimeve më të mira, në favor të çështjeve për të cilat zoti Godo u përpoq, gjatë gjithë karrierës së tij. “Për mua, sot personalisht, kjo ditë është e ngarkuar me emocion, sikundër për shumë prej nesh por edhe me një sens përmbushje dhe tashmë një pritshmërie të re, një pritshmërie që imazhi i tij i përjetësuar sot në mermer do të vlejë si një shtysë ekstra, përveç kujtimeve tona për të, për të na shtyrë drejt një jete më të drejtë, drejt vendimeve më të mira, në favor të çështjeve për të cilat ai luftoi dhe u përpoq gjithë jetën e tij, familjen, shoqërinë, atdheun dhe kombin”, u shpreh kryebashkiaku Basha. 
Në emër të familjes Godo, vajza e Sabriut, Ermira Godo ka falënderuar Kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe gjithë ata që mundësuan përjetësimin e Sabri Godos në këtë bust. “Falënderojmë thellësisht z. Basha, për angazhimin e tij maksimal, për ta venë Sabri Godon në piedestal, në zemër të Tiranës, duke i bërë vend kështu në rangun e burrave të shquar të kombit. E falënderojmë për kujdesin me të cilën e përgatiti këtë ceremoni edhe pse në një periudhë të ngjeshur dhe të ngarkuar për të dhe i lutem t’i përcjellë mirënjohjen tonë Këshillit Bashkiak dhe të gjithë strukturave të Bashkisë, që pa mëdyshje dhe në një periudhë mjaft të shkurtër, na i bënë gjërat të lehta. Babai ynë  e konsideronte z. Basha njeriun e duhur, për punët e duhura. Unë dhe gjithë familja jonë i urojmë me gjithë zemër një të ardhme të ndritur”,  u shpreh zonja Godo.
Ndërsa nga ana e tij, Ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Visar Zhiti theksoi se Sabri Godo është kryetutor i Kushtetutës, është pikërisht në tempullin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Sabri Godo ishte njeri i madh, ishte shkrimtar i madh. Ai solli përsëri kryetrimin, Skënderbeun për lexuesit shqiptarë, solli Ali pashë Tepelenën, solli plakun e Butkës dhe ata e mbajnë përjetësisht tani emrin e tij këtu. Sabri Godo, deputet i përhershëm i shpirtit të popullit të tij”.
Gjithashtu në një fjalë nderimi, ambasadori i OSBE-së, Ettore Sequi vuri në dukje se, ishte karriera e tij dhe jeta e tij aq e madhe dhe aq kuptimplotë e cila është e pranishme këtu me ne, në shpirtin e tij. Por ashtu si jeta e të gjithë juve, edhe jeta ime në fakt është prekur nga i ndjeri Sabri Godo. Jeta dhe drita që ai u ka treguar të gjithëve, përfshirë mua, nuk ishte diçka e zakonshme. Në fakt të gjithë ata që e kanë dëgjuar atë, që kanë dëgjuar zërin e tij, që kanë dëgjuar mençurinë e tij, që kanë dëgjuar fjalët e tij, do ta kuptojnë vërtet që ai nuk është larguar kurrë nga ne”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›