E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Heqja e vizave, tulla e fundit e Murit të Berlinit

Ministri Basha ishte i pranishëm në seminarin “Rrëzimi i Murit të Berlinit dhe Shqipëria”, organizuar nga Fondacioni “ Konrad Adenauer” dhe Instituti i Kërkimeve “Alcide De Gasperi”.

Më herët në fjalën e tij Ministri Basha solli në vëmendjen e të pranishmëve konstatimin se njëzet vjet më pas, Muri i Berlinit ka rënë në të gjitha dimensionet dhe format e tij në Shqipëri, rreth saj dhe në Ballkanin Perëndimor.

Basha e cilësoi historik vendimin e Parlamentit Evropian që i kërkoi Komisionit Europian që Shqipërinë  së bashku me Bosnje-Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, t’i rendisë në listën e bardhë të vendeve Shengen, duke kërkuar që konfirmimi përfundimtar për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën, të bëhet menjëherë pas konfirmimit të kritereve teknike.

“Kjo nismë nuk vjen si surprizë, por si një konstatim i Parlamentit Europian për progresin që Shqipëria ka bërë nga periudha e fundit e inspektimeve të Komisionit Europian deri sot”, deklaroi ministri i Brendshëm. Basha theksoi në fjalën e tij se secili prej sistemeve që zotëron sot Shqipëria është qartësisht më modern, më i përparuar dhe më efikas se cilido prej sistemeve prezent në Ballkanin Perëndimor.

“Shqipëria në këto pesë muaj që nga inspektimet e fundit të KE-së ka plotësuar një nga një të gjitha kriteret e udhërrëfyesit. Shpreh bindjen se ky proces, i cili politikisht ka mbështetjen e plotë të të gjitha vendeve të BE-së do t’i afrohet së shpejti fundit, pasi Shqipëria ka përmbushur në tërësi kriteret për liberalizimin e vizave. Ne presim që konfirmimi në nivel teknik të kryhet sa më shpejt nga ekspertët e Komisionit Europian”, vijoi më tej ai.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›