E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Hetimet e 21 janarit sipas ligjit

01/02/2012  Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha zhvillon takime në Uashington

Ndryshimi i administratës ka nxjerr Bashkinë nga konflikti politik, përqendrimi vetëm te qytetarët.

“Hetimet për ngjarjet e ndodhura 21 janarin e një viti më parë duhet të zhvillohen sipas parametrave që parashikon ligji”, - kjo është deklarata e bërë nga kryebashkiaku Lulzim Basha gjatë vizitës që po zhvillon në Uashington. I pyetur mbi klimën e acaruar politike që ka mbërthyer vendin, e veçanërisht mbi hetimet që po zhvillohen për 21 janarin, që në atë kohë ishte ministër i Brendshëm, Basha është shprehur se procesi duhet të bazohet në ligj. “Mendoj se është shumë e rëndësishme që procesi të ecë në parametrat e shtetit ligjor dhe në këtë kuptim çdo aktor duhet të udhëhiqet pikërisht nga ligji dhe nga nevoja për të ekzekutuar brenda kornizës ligjore përgjegjësitë që ka”, - ka deklaruar Basha. Gjatë qëndrimit në Uashington kryebashkiaku ishte i ftuar në Qendrën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare “John Hopkins SAIS”, ku ka ekspozuar modelin e ri të qeverisjes së Tiranës, qeverisje e cila do të përqendrohet vetëm në përmirësimin e cilësisë së jetesës për qytetarët. Basha në prezantimin e tij nënvizoi se për të ka qenë një privilegj të drejtonte disa nga ministritë kyçe në Shqipëri, sikundër ndihej po aq i privilegjuar dhe shumë i motivuar për t’i shërbyer qytetit të tij, Tiranës, dhe bashkëqytetarëve kryeqytetas. “Kushdo që ka jetuar në këtë qytet dhe në një çast të caktuar ka ëndrrat e tij se si do të ngjante ky qytet, ashtu siç kam pasur edhe unë dikur ëndrrat e mia. Një mendim i tillë filloi të rritej çdo ditë në mendjen time, ndërsa kisha shumë kujdes se çfarë nevojitej të bëhej me Tiranën. Dhe si mund ta bëjmë atë? Pasojat më të rënda nga situata politike dhe konflikti politik ishin në Tiranë. Kjo ishte mundësia më e madhe që t’ia kthenim Tiranën, qytetarëve, që vendi të ecë përpara dhe t’i çojë qytetarët në vendin e parë të vendimmarrjes.”

Gjatë bisedës së zhvilluar me të pranishmit në këtë qendër universitare Basha ka shtuar më tej se si kryetar i qytetit më të madh e të rëndësishëm të Shqipërisë gjithë energjia e tij do të përqendrohet në përmirësimin e jetës së qytetarëve të saj. Duke folur për problemet e kryeqytetit, kryebashkiaku tha se ato janë të shumta dhe nuk mund të zgjidhen brenda 24 orëve, por shtoi se për zgjidhjen e tyre ai do të tërheqë mendimin e qytetarëve dhe do ta mbajë Bashkinë larg politikës. “Mendoj se kemi arritur ta nxjerrim Bashkinë e Tiranës nga vorbulla e konfliktit politik dhe orientimin e saj 100 për qind te problemet, sfidat, dëshirat dhe aspiratat e qytetarëve. Bashkia është e hapur për qytetarët jo vetëm me takimet me mua personalisht, por dhe përmes kontakteve të drejtpërdrejta me njerëzit”, - ka nënvizuar kryebashkiaku Basha. Gjithashtu Basha bëri të ditur para të pranishmëve se vetëm në muajin gusht u regjistruan 495 biznese të reja në Tiranë, ndërkohë që asete me vlera të larta do të vihen në përdorim, sikundër projektet strategjike të tilla, si: zgjerimi i bulevardit që ndërpritet nga lumi Lana, ndërtimi i dy linjave të tramit, ndërtimit të një terminali të ri, së bashku me stacionin e autobusëve urbanë, që do të marrin jetë shumë shpejt dhe që synojnë përmirësimin e jetesës së qytetarëve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›