Basha: Holanda do të mbështesë liberalizimin e vizave për shqiptarët

Tiranë, 20 janar
NOA - Holanda do të japë mbështetjen e plotë për liberalizimin e vizave për
qytetarët shqiptarë.
Mbështetja është
deklaruar gjatë takimeve që ministri i Brendshëm, Lulzim Basha zhvilloi në Hagë
me ministren e Brendshme të Holandës, Guusje Ter Horst dhe Sekretarin e Shtetit
në Ministrinë e Drejtësinë, Joris Demmink.
Gjatë takimit me
homologen Ter Horst, ministri Basha informoi mbi ecurinë e procesit të pajisjes
së qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike, instalimin e sistemeve më të
avancuara për kontrollin kufitar dhe analizën e informacionit kriminal si dhe
rezultatet e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ndërkohë,
Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Drejtësisë së Holandës, Joris Demmink, pas
takimit me ministrin Basha, deklaroi se Shqipëria është edhe më e përparuar se
shumë shtete anëtare të BE në lidhje me aspektet teknike të dokumenteve të
identitetit dhe sigurisë së kufijve.
Kontrolli i
kufijve dhe pasaportat tuaja janë shumë më të avancuara se ato që kanë në përdorim
shumë shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Pra, përsa i përket çështjeve
teknike për pasaportat dhe sistemin e kontrollit të kufijve, ju jeni shumë para
krahasuar me shumë vende të tjera.
Ne do ta shohim
propozimin e Komisionit Evropian në mënyrë të favorshme, pasi ne e mbështesim
idenë, që heqja e vizave të bëhet efektive sa më shpejt të jetë e mundur, u
shpreh Demmink.
Ministri i
Brendshëm, Lulzim Basha siguroi gjatë këtyre takimeve se ashtu si misioni i
mëparshëm në dhjetor 2009, edhe dy misionet e tjera që do të mbërrijnë nga Komisioni
Evropian në Shkurt 2010 do të konstatojnë përmbushjen e kritereve të
përcaktuara për liberalizimin e vizave të Shqipërisë me BE.
Takimet dhe
informimi i vazhdueshëm i partnerëve tanë të vendeve anëtare shërbejnë që të
mos kemi asnjë pengesë dhe menjëherë pas vlerësimit të Komisionit Evropian për
të cilin kam të gjitha arsyet për të qenë optimist, vendet anëtare, që janë
vendimmarrësit, të mos vonojnë aspak dhe të marrin vendimin e shumëpritur nga
shqiptarët deklaroi për mediat pas takimeve ministri i Brendshëm, Lulzim
Basha.
k.k/NOA