Mëhilli: Rama, sulm ndaj Partisë Popullore Evropiane në Asamblenë e PS

Tiranë, 20 janar NOA Zëdhënësja e Partisë
Demokratike, Erla Mëhilli ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së
cilës ka theksuar se PD dënon ashpër sulmet që kreu i PS-së, Edi Rama ka bërë
ndaj Partisë Popullore Evropiane.
Në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare
dhe në vazhdim, Edvin Kristaq Rama dhe suita e bllokmenëve të rinj në
instinktin më të egër të etërve të tyre biologjike dhe historike, kanë
ndërmarrë sulme kundër Partisë Popullore Evropiane, organizatës që grupon mbi
52 parti të Qendrës së Djathtë Evropiane dhe personaliteteve të këtyre partive.
Partia Demokratike e Shqipërisë, dënon sulmet
dhe shpifjet e ulëta të punistëve të rinj ndaj Partisë Popullore Evropiane,
partisë që grupon sot partitë në pushtet në Gjermani, Francë, Itali dhe
shumicën e vendeve anëtare të BE-së, si sulme të frymëzuara fund e krye nga
trashëgimia hoxhiste tha Mëhilli.
Sipas zëdhënëses së PD-së, në Partinë
Popullore Evropiane, kombi shqiptar dhe Shqipëria ka miqtë e saj më të mëdhenj,
më të çmuar që me mbështetjen e tyre të plotë ndaj Partisë Demokratike kanë
dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në shndërrimet epokale në Shqipëri.
e.r/NOA