E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta me arabët, për Kosovën dhe investimet

Tiranë, 20 Janar NOA Zëvendëskryeministri
dhe Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta zhvilloi takime me mjaft
personalitete politike si me Kryeministrin e Mbretërisë të Tongas, Ministrin e
Punëve të Jashtme të Komoros, me delegacionet e Kenias, Hondurasit dhe Bregut
të Fildishtë. Takimet erdhën në kuadrin e punimeve të Samitit Botëror të
Energjisë të së Ardhmes të organizuar nga Agjencia Ndërqeveritare e Energjisë
së Rinovueshme në Emiratet e Bashkuara Arabe nga datat 18-21 janar.

Gjatë këtyre takimeve, z. Meta shkëmbeu mendime
mbi bashkëpunimin e ndërsjellë në kuadër të organizatave ndërkombëtare si dhe u
kërkoi këtyre vendeve njohjen e shtetit të Kosovës.

Gjithashtu z. Meta, u prit në një takim të
veçantë nga Ministri i Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe Sheik
Abdullah bin Zayed al Nahyan, me të cilin diskutuan rreth thellimit të bashkëpunimit
dypalësh dhe forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat me
interes reciprok.

Z. Meta e njohu homologun e tij me vendimin e
Qeverisë shqiptare për hapjen së shpejti të Ambasadës së Republikës së
Shqipërisë në Abu Dhabi, hap që u vlerësua së tepërmi nga Ministri i Punëve të
Jashtme të EBA si një vendim i rëndësishëm për të ardhmen e marrëdhënieve mes
dy vendeve.

e.r/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›