E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Incidenti me Topallin? Nga ana ime asgjë jonormale

Lulzim Basha 

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, nuk e përjashton mundësinë e kandidimit për ndonjë post partiak në PD. I ftuar në emisionin televiziv “Ora e debatit”, të gazetarit Alfred Peza në Ora News, u shpreh se “është në pritje të ndryshimeve në statut dhe pastaj do të vendosë për të kandiduar apo jo. Ndërsa shprehet se ka marrëdhënie korrekte me nënkryetaren e PD-së, Jozefina Topalli, pavarësisht incidentit të ndodhur dy ditë më parë në seancën plenare, kur iu ndërpre fjala.
Jeni një nga përfaqësuesit kryesorë të maxhorancës, ju thoni se nuk mund t’i rihapni kutitë sepse e pengon ligji dhe Kushtetuta. Opozita kërkon transparencën. Ju e keni ndryshuar Kushtetutën me Edi Ramën brenda 24 orëve për çështjen më banale apo keni forcuar kryeministrin dhe presidentin me 71 vota. Pse nuk e ndryshoni Kushtetutën dhe të zgjidhni krizën politike?
Së pari, zoti Rama nuk kërkon hapjen e kutive sepse në të vërtetë nuk kërkon hapjen e kutive. Ai është i bindur se nuk ka asgjë të mirë po të hapen kutitë dhe mund të ketë diçka të mirë për koalicionin e Sali Berishës. Por zoti Rama nuk e di se kutitë nuk hapen dot pa shkelmuar shtetin shqiptar dhe duke e ditur këtë vë një kusht të pamundur, në mënyrë që të justifikojë këtë axhendë radikale që mundohet t’i imponojë Shqipërisë të pasuksesshme. Them të pasukses se të njëjtën gjë u përpoq që ta bënte me MSA-në me bilbila dhe daulle, nuk ia arriti. Dhe kësaj radhe nuk do të arrijë të pengojë sfidën tonë të radhës, që ne do ta triumfojmë që është heqja e vizave për qytetarët shqiptarë. Me njohuritë juridike them se kemi të bëjmë me një çështje të gjykuar. Në dijeni time në universin e së drejtës romake dhe anglo-sanksione nuk ka bërë ndonjëherë vaki që një çështje e gjykuar të rihapet në çfarëdo mjeti, mënyre apo instrumenti. Nëse diçka e tillë ekziston, jam i sigurt që do të kishte vullnet. Por nëse këtu kërkohet një zgjedhje alla shqiptarçe për të penguar shtetin ligjor, të jeni i sigurt se detyra e parë çdo maxhorance, e çdo politikani, është të ruajë integritetin e shtetit ligjor, demokracisë funksionale dhe ndarjes së pushteteve.
Pati një moment nervozizmi dje në parlament mes jush dhe Kryetares së Kuvendit. A reflekton një raport të tensionuar para Kuvendit të PD-së?
Nga ana ime nuk ka asnjë nervozitet. Unë kam marrëdhënie shumë të mira me shumicën dërrmuese të kolegëve të mi në PD. Do të vazhdoj t’i ruaj.
A përfshihet zonja Topalli?
Unë thashë kam marrëdhënie shumë të mira, me disa kam lidhje pune, por nga ana ime nuk ka pasur ...
Tek kush kategori hyn Topalli?
Zonja Topalli është nënkryetarja e PD-së, është Kryetarja e Kuvendit. Është votuar nga unë dy herë si Kryetare e Kuvendit dhe kam votuar kundër mocionit të shkarkimit të saj të kërkuar nga opozita.
Ju ishit duke folur për çështjen e vizave. Jeni ndërprerë dhe ju vetë keni demonstruar pakënaqësi. Ju thoni se s’kishte gjë normale nga ju. A kishte nga ana tjetër ndonjë gjë normale?
Unë përgjigjem për veten time. Unë kisha marrë fjalën, Kryetarja e Kuvendit ka të drejtën e minutazhit. Ajo gjykoi se kisha kaluar minutazhin dhe e mbylli. Kam raporte institucionale korrekte me gjithë institucionet e vendit, përfshirë dhe Kryetaren e Kuvendit dhe kam raporte vetëm të mira dhe shumë të mira me gjithë kolegët e mi në PD. Nuk ka dhe nuk ka për pasur nga ana ime asnjë projekt rivaliteti, xhelozie, intrige apo keqdashësie ndaj askujt në PD.
Do bëni karrierë në PD?
Përgjigjja ime ishte shumë e qartë.
Ç’mendoni për ndarjen e posteve në PD?
Po pres mendimin që do të paraqitet për rishikimin e statutit dhe do të shprehem. Të dyja anët e medaljes kanë meritën e tyre. Ka modele të ndryshme, por do të ishte e dëmshme dhe absurde që kryeministri, kryetari i maxhorancës, të mos ishte kryetari i partisë.
Zoti Basha, do të kandidoni për ndonjë post në parti apo jo?
Pres si çdo anëtar i kryesisë të shoh rekomandimet e statutit dhe kryesia do të vendosë për pranimin e tyre dhe pastaj vijnë hapa të tjerë. Do t’i shikoj propozimet dhe nuk e përjashtoj mundësinë e kandidimit si çdo anëtar i kryesisë. Qëllimi i sotëm i PD-së dhe anëtarëve të saj nuk është në vetvete partia, është qeverisja. Dhe në funksion të kësaj qeverisje dhe në funksion të saj të arritjes së objektivave tona është sot PD-ja, e cila është partia e parë opozitare antikomuniste e këtij vendi.
A do të pranoni të kandidoni për Bashkinë e Tiranës apo jo?
PD ka rregulla të paracaktuar qartë, për përcaktimin e kandidatëve. Ju siguroj se procesi do të jetë po aq transparent, siç ka qenë edhe në vitet e tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›