E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shantazh pedagoges, pranga autorëve

Shantazhi me një material kompromentues ndaj një pedagoge të Universitetit "Eqerem Çabej" në Gjirokastër, ka çuar në pranga një punonjës të administratës dhe një agjent të Shërbimit Informativ Shtetëror.

Në prangat e agjentëve të Sektorit Kundër Krimit ekonomik kanë rënë shtetasit Adriatik Çalaj 29 vjeç me detyrë oficer pranë SHISH si dhe Laert Braho, 30 vjeç me detyrë inspektor pranë tatim taksave në Gjirokastër.

Dy personat e lartpërmendur, në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë shantazhuar pedagogen e Univeristetit të Gjirokastrës me iniciale L.K.

Çalaj dhe Braho zotëronin një material kompromentues të pedagoges, video, dhe në këmbim të tij, i kanë kërkuar një shumë prej 4 mijë eurosh.

Në të kundërt Çalaj dhe Braho kanë kërcënuar me publikim të materialit, përmbajtja e të cilit nuk bëhet e ditur.

E detyruar nga rrethanat, shtetasja L.K, i ka dorëzuar shumën e parave 30 vjeçarit Laert Braho, i cili do t'ia dorëzonte më pas oficerit të SHISH. Në momentin e dorëzimit, forcat e policisë kanë arrestuar në flagrancë 30 vjeçarin dhe kanë sekuestruar paratë dhe materialin që përdorej për shantazh.

Në pranga është venë edhe oficeri i SHISH, Adriatik Çalaj.

Burime zyrtare nga Policia e Gjirokastrës konfirmuan se ndaj dy personave ka nisur procedimi penal për "Korrupsion pasiv".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›