E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet në Athinë mashtruesi Indrit Aliu

 

Etleva Delia

Interpoli arreston në Athinë supermashtruesin Indrit Aliu, i shpallur në kërkim në mars të këtij viti për akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda ndaj disa biznesmenëve në Tiranë. Me një vendim të datës 1 prill të vitit 2009, Gjykata e Tiranës vendosi në mungesë masën "arrest me burg" për Indrit Aliu dhe që nga ai moment Interpoli e shpalli atë në kërkim ndërkombëtar. Sipas policisë rreth orës 22:30 të ditës së mërkurë, Aliu është ndaluar nga oficerët e Interpol-Athinës, në kryeqytetin grek, ku fillimisht është prezantuar me emrin e një biznesmeni nga Berati, Sokol Shehu. Identiteti i tij nuk i ka bindur oficerët, të cilët e kanë shoqëruar për të kryer verifikimet e nevojshme dhe shumë shpejt ata kanë zbuluar se personi i ndaluar ishte Indrit Aliu, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare për mashtrim. Pas verifikimit është njoftuar menjëherë Interpol-Tirana dhe sipas burimeve nga policia tashmë pritet të plotësohet dosja për kërkesën e ekstradimit të tij në Shqipëri.
MASHTRIMET  
Prokuroria e Tiranës është në përfundim të hetimeve për dosjen e Indrit Aliut, i cili akuzohet për dhjetë raste mashtrimi me pasoja të rënda. Në bazë të së dhënave të dosjes, Indrit Aliu, rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar për të paktën dhjetë raste mashtrimi me pasoja të rënda, me një dëm prej rreth 4 milionë euro. Dosja në ngarkim të 25-vjeçarit është hapur më 19 mars 2009, pas gjashtë denoncimeve të bëra në Prokurori që akuzonin Indrit Aliun për mashtrim me pasoja të rënda në rreth 3 milionë euro. I kërkuari do të dërgohej në gjyq në mungesë pasi ndalimi i tij nuk u bë i mundur, deri dy ditë më parë, edhe pse urdhër-arresti ndaj tij i është përcjellë prej muajsh policisë dhe Interpolit. Në përfundim të hetimeve, prokuroria pohon se ka provuar dhjetë raste të vjedhjes me anë të mashtrimit nga Indrit Aliu. Pak kohë pas denoncimeve të para që mbërritën ndaj tij në Prokurorinë e Tiranës, u konfirmua se ai ishte larguar jashtë Shqipërisë. Të dëmtuarit kanë qenë kryesisht biznesmenë, të cilëve Indrit Aliu akuzohet se u ka marrë shuma të mëdha financiare dhe materiale me anë të mashtrimit në kontratat e nënshkruara. Duke u hequr  si një biznesmen i fuqishëm, pronar i kompanisë "Dejs & Partners Consulting", Aliu ka nënshkruar kontrata me sipërmarrës dhe kompani të tjera, duke përvetësuar paratë e më pas duke u zhdukur pa gjurmë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›