Leximi politik i zgjedhjeve vendore të Kosovës
Politikanët dhe pushtetarët janë të prirë të nxjerrin përfitime për pushtetin dhe partitë e tyre në mënyra të ndryshme nga ngjarje e veprime të ndryshme. Mund të shfrytëzohet politikisht edhe një fatkeqësi natyrore edhe ndonjë ngjarje sportive, gati vështirë të imagjinueshme për mendjet që nuk janë të pritura të perceptojnë me këtë afinitet. Zgjedhjet bëhen gjithsesi për t’i legjitimuar ata që qytetari mendon se janë më të mirët dhe është krejt e kuptueshme që politikanët të jenë aktiv gjatë gjithë fushatës për të nxjerrë sa më shumë që është e mundshme përfitime. Kështu ndodhi edhe me zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Dhe në këtë nuk ka asgjë të keqe. Por pati të keqe në atë se si këto zgjedhje më pas u interpretuar, thjeshtë si u lexuan politikisht dhe me cilat qëllime u bë kjo. Kur qytetarët e Kosovës kanë marrë mundin të dalin e të votojnë, atyre as që ju ka shkuar mendja se si mund të interpretohet e të kualifikohet veprimi i tyre i cili në fund të fundit është një akt i thjeshtë qytetarë.
Tek ne dalja në zgjedhje u interpretua në mënyrë gjithsesi jo të zakonshme që përfundimisht nuk është karakteristikë e shoqërive me zhvillim normal. Sikundër edhe shumë çka tjetër edhe këto zgjedhje u tha se ishin as më pak as më shumë veç se historike. Pse? Historike sepse dolën numër i madh i zgjedhësve. Mirëpo pse të jenë historike nëse numër i madh dalin në zgjedhje askush nuk e shpjegoj. Fundja numri ishte i madh në krahasim me daljet e zgjedhjeve të parafundit, por dalja në 45 % nuk është numër i madh i qytetarëve, aq më pak për tu kualifikuar historike. Edhe sikur të dilnin 65 % të qytetarëve për të votuar, ato nuk mund të ishin të tilla. Është punë tjetër se historike ato kualifikohen sepse për këtë, struktura të caktuara politike, qeverisëse e partiake, kanë nevojë. Kanë nevojë që ato të kualifikohen historike, sepse duan që të mirën që e bëri qytetari i Kosovës, ta konvertojnë në poenë politikë, për nevoja e qëllime të tjera. Kur qytetari ka marrë mundin të dal në zgjedhje ai nuk ka menduar se ky akt i tij përmes një rruge vështirë të kuptueshme, është historik. Ai ka shpresuar, gjithsesi jo fort i bindur, se ndoshta do të gjejë një vend pune, të ketë 24 orë ujë të pijshëm të ketë rrymë apo diçka të ngjashme.
Jo vetëm kaq. Zgjedhjet u kualifikuan (u lexuan politikisht) si dëshmi e pakontestueshme e politikës së mirë që po bëhet sot në Kosovë. Dukej se sa më i madh numri i votuesve, aq më i vogël pesimizmi dhe pakënaqësia e qytetarëve. Sa më pak keqpërdorim të votave që pati, aq më shumë u dëshmua aprovim për politikën dhe gjendjen aktuale në Kosovë. Kështu përzihej respektimi i institucioneve të Kosovës nga qytetarët që kishin dalë në zgjedhje, me respektimin e politikave që bëjnë ato. Sigurisht se ai që del për të votuar do të respektoj dhe votoj edhe një politikë përkatëse qoftë opozitare çoftë në pozitë. Por dukej se nga leximet që më pas ju bënë ‘zgjedhjeve historike’ ai që ka dal për të votuar, nuk mendon se në Kosovë ka korrupsion a krim të organizuar apo thënë ndryshe ai mendon se ato nuk janë të përmasave shqetësuese se përndryshe nuk do të dilte. Për më shumë kur dëgjon krejt atë që thuhet lidhur me organizimin e fushatës zgjedhore, zgjedhjet dhe çdo që është lidhur me to, ta merr mendja se qytetari i Kosovës është i kënaqur, sepse e di i shkreti se ka edhe ma keq, është optimist sepse e di se çfarë do të thotë pesimizëm, dhe do që të vazhdohet kështu, sepse tash është më mirë se kurdoherë më parë, prandaj mu për këtë paska dal në zgjedhje të thotë le të vazhdohet kështu.
Mjafton t’i hidhet një sy rezultatit të një hulumtimi që muajin e kaluar ka bërë (UNDP) me qytetarët e Kosovës për të kuptuar se ky lexim politik i zgjedhjeve nuk është real dhe është me sherr. Konstatimi i përgjithshëm i këtij hulumtimi është se pakënaqësia e qytetarëve të Kosovës sot është gjithanshëm dhe pothuajse me çdo gjë (përjashtim me punën e SHPK-së) në rritje. Ka pakënaqësi në rritje me Qeverinë e Kosovës, me Kuvendin e Kosovës e posaçërisht me gjykatat. Në rritje është pesimizmi politik i qytetarëve, ndërkaq gatishmëria e qytetarëve për të protestuar shkon deri në 66 %. Kjo nuk do më shumë koment për ta kuptuar sherrin e leximit politik që iu bë zgjedhjeve.