Një mjek thyen heshtjen: Këmbëngulja e Berishës ishte vendimtare në rastin e Margaritës
Ajo që ka shqetësuar shumë lexues është se përse asnjë mjek nuk e merr guximin të flasë për rastin e dëbimit të mjekes Margarita Kostaqi në vitin 1982.
Të gjithë thonë se pas këtij dëbimi qëndron Sali Berisha, në atë kohë një komunist i zellshëm dhe egoist.
Por të paktën një mjek e ka thyer heshtjen, duke dërguar një letër në gazetën Dita për këtë çështje.
Ai është mjeku Lutfi Zhegu, ish- i deleguar i partisë në atë kohë.
Zhegu shkruan: Në atë periudhë kur do të përjashtohej nga Partia e Punës, kam qenë i deleguar i Komitetit të Partisë në rajonin nr. 1 në Tiranë, në organizatën e partisë së spitalit. Porosia nga komiteti i partisë i rajonit dhe i rrethit të Tiranës ishte që dr. Margarita (ndjesë pastë), të mos përjashtohej nga partia.
Organizata e partisë u nda në dy grupe: për përjashtim ishte Sali Berisha, Nesti Kondili, Servete Kërçishta. Kryesori ishte dr. Sali Berisha. Këta e akuzuan për mendjemadhësi, dashnore e ish- ministrit Llambi Ziçishti apo përgjime telefonike në Francë, gjëra të tilla. Kundër më sa më kujtohet ishte dr. Fatos Panariti, i cili edhe ky më vonë u kthye në kandidat partie.
Mbas dy mbledhjesh të organizatës së partisë, kontaktova me sekretarët e partisë së rajonit. U thashë se më është bërë shumë e vështirë të merresha me Sali Berishën dhe grupin e tij të akuzuesve. Pastaj mbledhjet i drejtoi Xhemal Tafaj. Përjashtimi nga partia i dr. Margaritës ishte edhe me rekomandim nga klinika speciale e udhëheqësve të partisë.
Jam takuar me të ndjerën Margarita në vitin 2005 dhe e pyeta se pse nuk ankohej për të drejtën e saj. Përgjigja ishte: ia kam lënë perëndisë./ep