E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Jemi duke pritur ceremoninë e ndarjes së ftesave për në NATO

Ministri i jashtëm, Lulëzim Basha është shprehur nëpërmjet një bisede telefonike se delegacioni shqiptar po pret me padurim fillimin e pjesës së dytë të samitit të NATO-s për të marrë zyrtarisht ftesën.

Cila është ecuria e Samitit?

Basha: Samiti ende nuk ka filluar, për shkak të disa kompromiseve politike që ende nuk janë vendosur. Me fillimin e takimit pritet të përfundojë pjesa e parë ku do të mbahen disa fjalime. Pas kësaj do ketë një pushim kafe, që do ti japi mundësi organizatorëve që të riformatojë tavolinat për ti hapur vend ceremonisë për shpërndarjen e ftesave Shqipërisë dhe Kroacisë. Sigurisht është një moment historik për Shqipërinë dhe Kroacinë. Po presim nga momenti në moment të fillojë pjesa e dytë e mbledhjes.

Po përsa i përket Maqedonisë, a ka ende shpresa se do të marrë ftesën?

Sa i përket Maqedonisë ka akoma shpresë, ka akoma zëra se po bisedohet për formulën më të mirë të mundshme në këtë situatë. Aleanca ka rënë dakord për konceptin e Maqedonisë dhe është lënë dera plotësisht e hapur, por se si do të formatohet është akoma në diskutim.

Cila është axhenda e delegacionit shqiptar?

Ne presim përfundimin e pjesës së parë të mbledhjes së sotme. Pas kësaj do ketë dy mbledhje të tjera të rëndësishme. Në darkë ka një mbrëmje për të gjithë kryetarët e shteteve dhe delegacionet, dhe organizohet nga presidenti i Rumanisë. Nesër ka takime të ndryshme pune, në të cilat delegacioni shqiptar do të marrë pjesë.

Pas kësaj ftese, sa e gjatë do të jetë rruga për anëtarësimin përfundimtar?

Pas marrjes së ftesës, kemi dy raunde negociatash. I pari ka të bëjë me përmbushjen e disa rregullave politike dhe ushtarake, ndërkohë që i dyti ka të bëjë me përafrimin e  legjislacionit.Në fund të këtyre dy raundeve Shqipëria dërgon plan veprimin me një plan reformash pranë sekretarit të përgjithshëm. Ky sekretar sëbashku me ambasadorët e NATO-s e ratifikojnë dhe ja dërgojnë vendeve anëtarë. Më pas cdo gjë depozitohet në SHBA, ku edhe bëhet anëtarësimi përfundimtar.

A është shqetësuese kjo vonesë që po ndodh në Samit?

Nuk është aspak shqetësuese për delegacionin shqiptar dhe aspiratave tona. Vonesa  është çështje politike për Ukrainën dhe Gjeorgjinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›