I heqin veshkën kur ishte 1 vjeçe, mjekët i mohojnë epikrizën
Vajza e policit të vrarë, 9-vjeçarja Evisa Driçi nuk mundet të marrë epikrizën për t'u kuruar jashtë. Përfundon në stolat e spitalit
Jeta e saj nuk ka qenë kurrë si e bashkëmoshatarëve pasi që kur ishte foshnje do t'i hiqnin njërën veshkë, duke ia vështirësuar të tepërmi jetesën. Por si të mos mjaftonte kjo vogëlushen fati do ta dënonte duke e lënë jetime pasi babai i saj vritet në krye të detyrës, gjatë një aksioni për kapjen e keqbërësve. Tashmë, 9-vjeçarjes Erisa Driçi sëmundja i ka avancuar dhe shëndeti i saj është rënduar pasi infeksioni i veshkave i ka kaluar edhe në organe të tjera. E megjithëse vajza nuk mundet as të mbajë veten në këmbë, mjekët në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" nuk e shtrojnë në spital. Madje ata nuk i japin as epikrizën për ta dërguar për kurim në Turqi, edhe pse ajo i plotëson kriteret dhe i ka të gjitha dokumentet e tjera gati. "Erisa është fëmija i vetëm që kam, pasi burrin ma kanë vrarë para 9 vjetësh, në krye të detyrës. Tashmë po e humbas edhe time bijë sepse askush nuk preokupohet për sëmundjen e saj",- thotë Lijana Driçi. Ndërkohë, Drejtoria e QSUT-së pas ankesës së nënës së Evisës bëri të ditur se do të merren masa të menjëhershme për ta shtruar në spital dhe se do t'i jepet edhe epikriza, për të marrë një mjekim më të specializuar jashtë shtetit.
Sëmundja
Dhimbja dhe trishtimi zë çdo kënd, tek e shikon të shtrirë mbi një stol në oborrin e spitalit vogëlushen 9-të vjeçare. Fati i ka mohuar të ketë shëndet normal dhe ajo çka është më e rëndësishmja, të ketë edhe të atin. Por si të mos mjaftonin këto fati po luan me të, pasi asaj po i mohohet edhe një shtrat në spital për t'u kuruar nga mjekët. Sipas nënës së Evisës, ajo është me temperaturë 40 dhe nuk mundet ta dërgojë në shtëpi në atë gjendje ndaj dhe është detyruar të kërkojë zgjidhje në Drejtorinë e QSUT-së, për t'ia shtruar vajzën në spital. "Kur ishte 1 vjeçe mjekët i hoqën njërën veshkë sepse i ishte infektuar. Tashmë infeksioni ka kapur edhe organe të tjera. Sidomos dhëmbët i ka shumë të dëmtuara dhe enjtja nuk po i ikën prej 1 muaji",- pohon Liljana Driçi. Ndërkohë ajo pohon se vajza e saj duhet të kurohet në Turqi pasi i plotëson të gjitha kriteret dhe Ministria e Shëndetësisë sipas saj është dakord, por janë mjekët e QSUT-së të cilët nuk i japin epikrizën e vajzës, çka po e pengon që ajo të marrë ndihmë mjekësore të specializuar. "Nuk e kuptoj përse m'i nxjerrin këto pengesa. Vajza ime po përkeqësohet çdo ditë e më shumë dhe mjekët nuk më japin epikrizën për ta kuruar jashtë shtetit. Madje asaj po i mohojnë edhe një shtrat në spital, edhe pse është në gjendje të rëndë",- pohon nëna e Erisës.
E varfër dhe jetime
Sëmundje varfëri ekstreme dhe mungesë të dashurisë prindërore. Këto janë disa nga shqetësimet e vogëlushes 9-të vjeçare, që e kanë bërë jetën e saj të mos ngjasojë me fëmijët e tjerë. Ajo jeton tek shtëpia e prindërve të mamasë së saj dhe janë shumë të varfër, sa edhe ilaçet nuk mundet t'ia blejnë. Madje edhe pagesën si e sëmurë Evisës ia kanë hequr para 2 vjetësh, duke e rënduar edhe me tepër ekonominë e tyre. "Pagesën e paaftësisë së vajzës ma hoqën në Lezhë, në mënyrë të padrejtë. Merrja 80 mijë lekë të vjetra për të, por për mua padyshim që ishin shumë",- thotë Liljana Driçi.
Erisa: Babai im është hero, se është vrarë në detyrë
Ajo e di që babai i saj ka rënë në krye të detyrës për të kapur njerëzit e këqij dhe i vjen keq që nuk ka mundur kurrë ta njohë atë. "Babi im ka qenë polic shumë i zoti dhe të gjithë ata që bëjnë keq i fuste në burg. Atë e kanë vrarë pikërisht keqbërësit dhe më vjen keq që unë nuk e kam njohur",- thotë Erisa. Në fakt, edhe pse e sëmurë duket vajzë e zgjuar dhe për babain e saj flet gjithë pasion. Ndërsa Liljana tregon se Evisa është shumë e mirë edhe me mësime, pasi nuk mërzitet kurrë duke lexuar. E veshur në të zeza mami Liljanës i rrjedhin lotët në faqe dhe vajtimi tashmë është edhe për të bijën, njeriun më të afërt që i ka mbetur në këtë botë. "Kam 8 vjet që jam veshur në zi sepse bashkëshorti im punonte me forcat blu të Ndërhyrjes së Shpejtë, ku dhe është vrarë gjatë një aksioni. Tani jam e ve dhe lutem çdo ditë që të mos mbetem edhe pa vajzën time, të vetmen pasuri që më ka mbetur në këtë botë",- thotë Liljana Driçi, të cilës duket se lotët nuk i janë ndarë prej 9 vjetësh.
Drejtoria: Vajza do të marrë trajtim të specializuar
Menjëherë pas ankesës së nënës së Erisa Driçit në Drejtorinë e QSUT-së këta të fundit kanë lëvizur menjëherë për ta shtruar në spital. Madje burime zyrtare të spitalit kanë siguruar se vajzës, nëse është nevoja do t'i jepet edhe epikriza për ta kuruar në Turqi. "Padyshim që rasti në fjalë do të merret menjëherë në shqyrtim dhe ajo do të shtrohet në spital. Sa i takon epikrizës, edhe ajo do të shqyrtohet dhe do t'i japim zgjidhje këtij problemi",- pohojnë burime zyrtare të QSUT-së, të cilët kanë filluar procedurat menjëherë pas ankesës së nënës së pacientes.