E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Jemi veç në fillim të aksionit për rikthimin e hapësirave publike

04-03-2012 / Gazeta 55

Bashkia e Tiranës nis rehabilitimin e disa zonave të kryeqytetit si në Parkun prapa Pallatit të Kulturës, tek “Don Bosko”, “Ali Demi” apo dhe te Medreseja, ku do të rikthehet gjelbërimi

Bashkia e Tiranës ka nisur projektin e rikualifikimit urban të disa zonave në Tiranë, si në Parkun prapa Pallatit të Kulturës, në zonën e Don Boskos dhe në një bllok banimi në rrugën “Ali Demi”. E gjithë sipërfaqja prapa Pallatit të Kulturës do të sistemohet dhe kthehet në një hapësirë të gjelbër, në shërbim të qytetarëve të Tiranës. Në këtë hapësirë do të mbillen rreth 150 pemë, do të vendosen 66 stola, do të ketë ndriçim si dhe do të vendosen 2 çezme. Po kështu, e gjithë pjesa rrethuese e objektit të Kultit të Bektashinjve do të bëhet me kangjella, sikundër do të sistemohet edhe parkimi aktual që ndodhet në këtë sipërfaqe. Punimet po kryhen me fondet e Bashkisë së Tiranës nga Ndërmarrja numër 1 e saj. Dje, ka parë nga afër punën që po kryhet për rikualifikimin e kësaj hapësire, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha. “Sot ka filluar puna për kthimin e kësaj hapësire në një hapësirë çlodhëse të gjelbër. Ky është një hap i vogël, për ta bërë Tiranën një qytet ku punohet e jetohet më mirë dhe shijohet më mirë jeta. Projekte të mëdha po planifikohen në kuadër të Planit Urbanistik dhe projekteve strategjike, të cilat do i nënshtrohen procedurave të konkurrimit, por ndërkohë ne do të ecim me projekte të tilla, siç i quajta më parë, hapa të tillë “të vegjël”, por domethënës, për të përmirësuar cilësinë e jetës në të gjithë qytetin” - tha Basha. Rikualifikimi i hapësirës publike do të kryhet edhe tek zona e “Don Boskos”, në një sipërfaqe prej 2400 metër katrorë. Edhe në këtë hapësirë publike do të mbillen pemë, do të vendosen 55 stola, do të ketë ndriçim dhe çezme uji. Sipërfaqja që do të ri-kualifikohet në zonën e “Ali Demit” i përket një blloku banimi dhe ka një sipërfaqe prej 14 mijë metër katrorë. Edhe në këtë hapësirë do të mbillen rreth 60 pemë dhe do të vendosen 40 stola. Edhe në këto dy zona, ndërhyrja do të bëhet nga Ndërmarrja numër 1 e Bashkisë. Po kështu, janë identifikuar dhe pritet të përfundojnë projektet edhe për hapësira të tjera publike, të cilat do të shndërrohen në hapësira të gjelbra, për tu vënë në shërbim të qytetarëve. I pyetur nga gazetarët, Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha tha se, në asnjë rast nuk cenohet e drejta e pronës, sikundër shprehu angazhimin e tij, që në çdo rast, ajo do të zgjidhet sipas ligjit. Që pas mbylljes të së ashtuquajturës gropa e Ajdin Sejdisë, në këtë hapësirë, kur z. Basha ishte Ministër i Transporteve dhe pas rehabilitimit të pjesshëm të kësaj hapësire nuk u vu dorë për sistemimin e saj dhe kthimin në një hapësirë çlodhëse për qytetarët. “Do të zgjidhet sipas ligjit dhe asgjë nuk do të paragjykojë të drejtat e pronarëve, në asnjë cep të qytetit, duke përfshirë edhe Planin Urbanistik, i cili në qendër të tij do të ketë respektimin e të drejtave të pronarëve, por ndërkohë nuk mund të rrimë e të shikojmë se si pjesë të tëra të hapësirave publike, degjenerojnë nga dita në ditë. Ju e mbani mend, kjo ka qenë një zonë e ndaluar për një kohë të gjatë. Kjo kuotë s’ka ekzistuar sepse këtu ka qenë një gropë “famëkeqe”. Edhe pas mbylljes dhe rehabilitimit të pjesshëm, situata nuk ndryshoi për vite me radhë. Tani është e rëndësishme, që brenda mundësive tona, ne në çdo hapësirë të ndërmarrim hapa, të cilat do të përmirësojnë fizionominë qytetare të lagjeve tona, do të përmirësojnë jetën e qytetarëve, do ta bëjnë qytetin më të jetueshëm, më të mirë, ku të gjejnë hapësira çlodhëse të gjithë qytetarët e Tiranës dhe kushdo që vjen për të shijuar këtë qytet, në mënyrë të përditshme apo të përjavshme”- u shpreh kryebashkiaku Basha.

Bashkëbisedimi i kryebashkiakut Basha, me përfaqësues të medias

Z.Basha, kur pritet të përfundojë rehabilitimi i këtyre zonave?
Kjo është një punë, e cila do të kryhet në një kohë të shkurtër, siç thashë këta janë hapa të vegjël, të cilët bëjnë të mundur përmirësimin e jetës në zona të ndryshme të qytetit, për ta bërë qytetin më të jetueshëm, për ta bërë cilësinë e jetës së përditshme të qytetarëve, më të mirë.

Z.Basha, si do zgjidhet situata e ish-pronarëve?
Do të zgjidhet sipas ligjit dhe asgjë nuk do të paragjykojë të drejtat e pronarëve, në asnjë cep të qytetit, duke përfshirë edhe Planin Urbanistik, i cili në qendër të tij do të ketë respektimin e të drejtave të pronarëve, por ndërkohë nuk mund të rrimë e të shikojmë se si pjesë të tëra të hapësirave publike, degjenerojnë nga dita në ditë. Ju e mbani mend, kjo ka qenë një zonë e ndaluar për një kohë të gjatë. Kjo kuotë s’ka ekzistuar sepse këtu ka qenë një gropë “famëkeqe”. Edhe pas mbylljes dhe rehabilitimit të pjesshëm, situata nuk ndryshoi për vite me radhë. Tani është e rëndësishme, që brenda mundësive tona, ne në çdo hapësirë të ndërmarrim hapa, të cilat do të përmirësojnë fizionominë qytetare të lagjeve tona, do të përmirësojnë jetën e qytetarëve, do ta bëjnë qytetin më të jetueshëm, më të mirë, ku të gjejnë hapësira çlodhëse të gjithë qytetarët e Tiranës dhe kushdo që vjen për të shijuar këtë qytet, në mënyrë të përditshme apo të përjavshme.

Ky është një projekt përfundimtar, sa është kostoja e këtij projekti?
Ky është një projekt, i cili ka si qëllim të rrisë hapësirën e  gjelbër, ka si qëllim të sjellë më shumë hapësira çlodhëse për qytetarët, është një projekt që kryhet Brenda planifikimeve buxhetore të Bashkisë dhe në veçanti të drejtorisë që është përgjegjëse për gjelbërimin.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›