Deklarata/Strazimiri: “Në programin e PS, të përndjekurit nuk ekzistojnë”

Deputeti i PD e cilëson ngritjen e tryezës së opozitës për ish të dënuarit e regjimit, si strategji të Edi Ramës për të përfituar politikisht, duke përdorur këtë shtresë të shtypur 45 vjet me radhë nga etërit e tij politik dhe biologjik. Reagimi i deputetit të PD vjen në një kohë kur Rama angazhoi të gjithë arsenalin e sulmeve politike ndaj mazhorancës se s’ka bërë sa duhet për të përndjekurit. Një panel që kryesohej nga ish ministri i fundit i diktaturës komuniste, përgjegjës për vrasjen e 4 të rinjve në ditën e zezë të 2 prillit, Gramoz Ruçi, ishte provokimi më i madh që i është bërë ndonjëherë të përndjekurve, të cilët nga firmat vrasëse të Kristaq Ramës apo urdhrat ekzekutues të Gramoz Ruçit, kanë humbur të afërmit e tyre. “Edi Rama duhet t’i kërkojë falje për krimet monstruoze të komunizmit. Janë mbi 5000 të pushkatuar dhe dhjetëra mijëra të burgosur. Edi Rama duhet të kërkojë falje edhe për krimet ku është përfshirë drejtpërdrejtë familja e tij biologjike. Babai i Ramës, Kristaq Rama, firmosi varjen e Havzi Nelës dhe ky është një fakt i njohur për të gjithë shqiptarët”- u shpreh deputeti demokrat, Strazimiri. Deputeti i PD-së komentoi ndër të tjera edhe largimin e Gazmend Oketës nga grupi parlamentar demokrat. Sipas tij, si Oketa ashtu edhe partia e Bamir Topit s’do kenë sukses në zgjedhje. “Oketa mori mandatin nga Partia Demokratike dhe iku. Unë nuk besoj se në zgjedhjet e ardhshme, z.Oketa do ketë po atë shans që i dha PD në 2005-n” - tha ai. Flirtet e Presidentit me lidershipin socialist, deputeti demokrat, Gent Strazimiri i cilësoi si “marrëdhënie bamirësie”, për qëllime të pandershme. Gjithashtu, z.Strazimiri komentoi edhe mungesën e Bamir Topit në dy ceremoni festive, atë të 4 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe përvjetorit të 568 të Lidhjes së Lezhës, duke i cilësuar këto veprime të kreut të shtetit si të papërshtatshme për pozicionin që ka. “Ajo që i mungon sot vendit, është një president me integrimit. Sot, kemi një president pa integritet i cili flirton me kryetarin e Partisë Socialiste në dëm të interesave të vendit”.