Basha: Kartat të sigurta, ndjekje penale falsifikuesve
Në një deklaratë të përbashkët për shtyp, ministrat e Brendshëm të Ballkanit Perëndimor, i bënë thirrje Bashkimit Europian që duke parë progresin e arritur nga Shqipëria dhe Bosnja të garantojnë liberalizimin e vizave për këto dy vende. “Ministrat e Brendshëm i bëjnë thirrje Bashkimit Europian që të përshpejtojë vendimmarrjen për t’i garantuar regjimin e lëvizjes së lirë Shqipërisë dhe Bosnjës, duke njohur progresin që këto dy vende kanë bërë në përmbushjen e plotë të kritereve”, u shpreh ministri shqiptar, Lulzim Basha. Ndërkohë, Basha, gjatë konferencës për shtyp në lidhje me garancinë e kartave të identitetit ka hedhur poshtë dyshimet për parregullsi, duke deklaruar se ato janë të sigurta. “Kartat e identitetit lëshohen sipas një sistemi 100 për qind të sigurt. Nëse ekzistojnë karta të falsifikuara, atëherë do të jenë objekt i ndjekjes penale nga institucionet kompetente të këtij shteti”, u shpreh Basha. Marrëveshja e përbashkët u firmos nga Serbia, Kroacia, Mali i Zi, Bosnja dhe Shqipëria. Ky reagim erdhi vetëm një ditë pasi kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, paraqiti në seancën parlamentare karta identiteti që sipas tij ishin false e që ishin përdorur në zgjedhjet e shkuara.
#