Në gjyq, kërcënoi me jetë kushëririn e parë
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar në gjykatë nën akuzën e gjobëvënies dhe kundërshtimit të punonjësve të policisë, Roland Markun. Sipas akuzës, në datën 26 nëntor 2009 rreth orës 14:30 të drekës, i pandehuri Roland Marku ka shkuar në shtëpinë e shtetasit Pal Marku, në fshatin Kune të Lezhës, duke i kërkuar këtij të fundit një shumë parash në masën prej dymijë eurosh.
Këtë shumë parash i pandehuri ia kishte kërkuar edhe para disa ditësh shtetasit dhe gjatë kohës që i kërkonte eurot i pandehuri ka ngritur zërin dhe ka filluar të kërcënojë kushëririn e parë, i cili nuk ka pranuar. Në shtëpi kanë qenë të pranishëm familjarët e tij dhe gjatë bisedës që ka pasur me shtetasin Pal Marku, i pandehuri e ka kërcënuar këtë të fundit që nëse ai nuk i jepte paratë e kërkuara do i merrte jetën të bijës së tij. Sipas kërkesës për gjykim, Roland Marku është treguar i dhunshëm karshi tij dhe familjarëve të tij, të cilët janë ndier të frikësuar dhe të kanosur. Në vendngjarje ka mbërritur policia dhe i pandehuri i ka kundërshtuar duke mos iu bindur urdhrit për të hipur në furgonin e policisë dhe është munduar të godasë policët e pranishëm në vendngjarje.