Basha: Keqpërdorim i mediave nga Edi Rama, nxjerr nga sirtari ëndrrën e radhës për penalizimin e Shqipërisë

Ministri i Brendshëm hedh poshtë publikimet në media se Shqipëria rrezikon vizat: Komisioni Evropian do ketë një raport pozitiv për liberalizimin e vizave
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha hodhi poshtë sot dezinformimet e publikuara në disa media të shtypit të shkruar, sipas të cilave Shqipëria rrezikon liberalizimin e vizave për shkak të mospërmbushjes së kritereve. “Ka një keqpërdorim të disa mediave nga zoti Rama, i cili ka nxjerrë prapë nga sirtari ëndrrën e tij se Shqipëria do të penalizohet. E kundërta është e vërtetë. Presim së shpejti një propozim pozitiv nga Komisioni Europian që do t’i hapë rrugën një vendimmarrjeje pozitive për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë”, u shpreh Basha. Kjo u deklarua nga Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, i cili duke iu referuar edhe deklaratës publike të vetëm pak ditëve më parë të Komisioneres për Punët e Brendshme dhe Drejtësinë Malstrom dhe eurodeputëve Kukan dhe Fajon, tha se Komisioni Europian do të ketë një raport pozitiv për Shqipërinë dhe se do të mbahet premtimi për marrjen e vendimit për heqjen e vizave brenda vitit të parë të mandatit të dytë qeverisës. Sipas Bashës standartet e vendosura nga Shqiperia, si përsa i përket dokumentave të identifikimit ashtu edhe në sigurinë e kufijve janë më të lartat në rajon. Këto qëndrime Ministri Basha i paraqiti në një komunikim me median pas takimit me Prokurorin e Antimafias së Leçes Z. Cataldo Motta. Basha dhe Motta ndërsa vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm që ka konsistuar edhe në finalizimin me sukses të disa operacioneve të rëndësishme kundër tentativave për trafik nga grupe të krimit të organizuar, shprehën gatishmërinë dhe vendosmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit në fazën e re të luftës kundër krimit të organizuar që ka të bëjë me goditjen dhe konfiskimin e aseteve ekonomiko-financiare të krimit të organizuar.
...