Dy falenderime për Ilir Metën
Në zallamahinë e muajve të fundit, që pas qershorit 2009, Ilir Meta mbetet ndër përsonazhet më të lakuar të kohës. Herë i pranuar e lavdëruar e herë i kundërshtuar e anatemuar. Për disa mbetet politikan i zgjuar, i pjekur e patriot e për disa tradhëtar i socialkomunistëve, plangprishës.
Unë që po shkruaj këto radhë, jam ndër ata shkrues (mos zot analist apo opinionist i vathës me të emëruar të tillë), që kam shkruar keq për Ilir Metën, shumë keq për historianët e tij të leshit që si bashkë leshi e palarë e kundërshtuan Ilir Metën për koalicionin që bëri me Sali Berishën dhe ikën prej tij duke e quajtur tradhëtar të familjeve komuniste.
Ashtu e kam ndjerë dhe ashtu kam shkruar dhe nuk kam pendesë për atë që kam shkruar dikur. Ditët e fundit nëpër forume e media të ndryshme u shtuan ulërimat kundër Ilir Metës për vizitën që bëri në Serbi. Patriotët e vetëquajtur të tillë ia morën vizitën në Serbi për përulësi, për tradhëti ndaj Kosovës e çeshtjes shqiptare në tërësi.
Unë, në pozitën time të qytetarit e shkruesit në këtë rast, të atij që ka ndjekur herë larg e herë afër zhvillimet e vendit e të politikës në këto 20 vjet, që ndjeva, pashë e provova shumë gjëra, të ndodhnin edhe ashtu siç nuk ia merrte mendja shumëkujt, dua të radhis pak fjalë për këto dy gjëra e zhvillime që kanë lidhje me Ilir Metën dhe pa duruar deri në fund të faqës, të përcjell që në krye dy falenderime për dy veprimet e këtij viti të tij.
Ilir Meta duhet falenderuar nga të gjithë ata shqiptarë që ndjehen të tillë, kudo që jetojnë e punojnë, për koalicionin që bëri me Sali Berishën. Nuk mundem të hyj të gjykoj cilësinë e përfaqësuesve të tij, devotshmërinë e tyre, protofolet që morën, qeverimin që bëjnë etj etj. S’është ky sot qëllimi im e as mundësia.
Unë thjeshtë e falenderoj Ilir Meën sepse me bashkëqeverimin me Sali Berishën e shpëtoi Shqipërinë nga kaosi, nga tre palë zgjedhje të njëpasnjëshme, nga rreth dy vjet proces zgjedhor, nga shkatërrimi e anarkia e sigurtë që na priste pas dere. Gjithkush mundet të kujtojë, të përfytyrojë, të analizojë se çfarë do të ndodhte me ne të gjithë nëse do të hynim në zgjedhje të reja sepse nuk mundte asnjëra forcë politike të bënte qeverinë.
E pas zgjedhjeve të dyta do të hynim të sigurtë në zgjedhjet e treta. Vendi do të rrënohej dhe mundësitë për të jetuar në këtë vend do të venin në fije të perit. 1997, vit i zi, kujtoj për ata që e kanë harruar, do të na dukej i artë krahasuar me atë që do të ndodhte po të mos bashkëqeveriste Ilir Meta me Sali Berishën. Ndaj, për këtë shkak, që e konsideroj madhor, mundem të artikuloj njërin falenderim për Ilir Metën.
I dyti falenderim për të ka të bëje me vizitën e tij në Serbi, në cilësinë e ministrit të jashtëm të vendit. Kundërshtarëve të kësaj vizite e levizje të zgjuar e të domosdoshme politike do të duhej t’ju thoja se Shqipëria nuk është në gjendje lufte me Serbinë. Do të duhej të bindeshim të gjithë se bashkëpunimi mes vendeve të rëndësishme ballkanike është në favor të këtyre vendeve dhe në rastin në fjalë, në favor të vendit tonë. Fill pas vizitës së Ilir Metës në Serbi, ku patëm rast të shihnim edhe ministër serb në krah të Ilir Metës në takim me shqiptarët, qeveria shqiptare hoqi vizat për shtetasit serbë dhe ata lejohen të hyjnë pa viza në Shqipëri.
A dini kush janë përfituesit më të parë? Kundërshtarëve të ministrit të jashtëm Meta po ua kujtoj se përfitues të parë të këtij vendimi të qeverisë shqiptare janë shqiptarët e shumtë që jetojnë në Serbi si shtetas serbë në komunat Preshevë, Medvegjë, Bujanovc, pa llogaritur të tjerët anë e kënd Serbisë. Përfytyroni shqiptarët që janë banorë të shtetit serb, në kufi me Kosovën, të udhëtojnë për në Beograd për të marrë vizë shqiptare për të ardhë në Shqipëri. Pra shqiptarët që jetojnë në Serbi mund bëjnë pushimet në bregdetin shqiptar pa shkuar për të marrë vizë shqiptare në Beograd.
Por përfitues të mëdhenj janë vetë serbët. Ata do ta përdorin këtë lehtësi e favor të qeverisë shqiptare dhe do të udhëtojnë më kollaj, më afër e më shkurt nga Italia në Durrës, në Morinë, në Prishtinë e në Serbi. Duke ditur se serbët nuk kanë nevojë për viza për në Europë. Unë jam lajmëruar me shumë miq e të njohur të mi shqiptarë që janë shtetas serbë dhe ndjehen shumë të lehtësuar nga heqja e vizave me Shqipërinë. Edhe në emër të tyre duhet ta falenderoj Ilir Metën për vizitën në Serbi e rezultatet e saj.
Dhe për fund, kundërshtarëve të ministrit Meta duhet t’u kujtoj se nuk është kaq i lehtë leximi i levizjeve diplomatike të një shteti. Të gjithë po dëgjojmë përditë se Serbia është e deklarohet se do të jetë kundër Kosovës, njohjes së saj, pavarësisë së saj. Sa të jetë jashtë Europës se kur të hyjë në Europë flet gjuhë tjetër edhe Serbia. Të gjithë po shohim, ndjejmë e prekim se Europa po ”e merr me të mirë Serbinë”, deri atje sa ne vetë po dyshojmë se mos Europa është penduar që u bashkua me Amerikën në sulmin kundër Serbisë për të mbrojtë Kosovën.
Gjykuar më ftohtë e parë më kthjelltë, Europa po kërkon ndihmë, pse jo edhe tek Shqipëria, që të mbajë Serbinë më pranë vetes, ta tërheqë nga vetja, që Serbia të mund të shkëputet nga ndikimi e dominimi i gjatë, i rëndë e i frikshëm rus. Dolën shumë fjalë, teksa u nisa për të artikuluar vetëm dy falenderime për dy veprime të mençura e me dobi kombëtare të Ilir Metës, aktualisht ministër i jashtëm i vendit dhe zevëndës kryeministër në këtë mandat të dytë të qeverisë Berisha. Faleminderit zoti Meta për këto dy veprime politike!