Paralizohet trafiku në kryeqytet, Olldashi i kërkon Ramës të bashkëpunojë me qeverinë

Një ditë pas deklaratës së kreut të ekzekutivit, në lidhje me sheshin “Skënderbej”, ministri i Punëve Publike Sokol Olldashi i ka dërguar një letër kryebashkiakut Edi Rama. Ka qenë vetë ministri Olldashi nëpërmjet një letre zyrtare i ka kërkuar shtrirjen e bashkëpunimit kryetarit të Bashkisë së Tiranës për të zgjidhur sa më parë çështjen që lidhet me trafikun dhe ndërtimin e sheshit në qendër të kryeqytetit. Shqetësimi i kësaj ministrie lidhet pikërisht me ngërçin në trafik që po shkaktohet nga punimet në sheshin “Skënderbej”. Ministri Olldashi i kërkon Ramës të diskutojnë së bashku mbi sheshin për ndërtimin e të cilit qeveria nuk ka kundërshti, por ngre shqetësimin e mungesës së një zgjidhjeje për trafikun e automjeteve. Debate në distancë mes qeverisë dhe bashkisë për sheshin “Skënderbej” kanë arritur kulmin një ditë më parë kur kryebashkiaku Rama pa asnjë paralajmërim ndërmori një eksperiment, duke bllokuar lëvizjen e automjeteve pikërisht në zemër të Tiranës. Menjëherë i gjithë trafiku u zhyt në kaos dhe u paralizua duke dëshmuar kështu në dështimin e këtij eksperimenti. Ndërkaq, përmes një prononcimi publik, kryebashkiaku Edi Rama i ka kërkuar qytetarëve që të mësohen me këtë situatë, madje edhe duke i urdhëruar që të lënë makinat në shtëpi. Eksperimenti i Bashkisë së Tiranës, për trafikun, pas bllokimit të sheshit “Skënderbej”, ka dështuar në mënyrë spektakolare. Trafiku në qendër të Tiranës dhe në pjesë të ndryshme të kryeqytetit të lidhura direkt me sheshin “Skënderbej”, është në një kaos të plotë dhe gjendja parashikohet të përshkallëzohet drejt një paralize edhe më të thellë.
...