Basha: Kjo është mazhorancë piramidale. Olldashi: Në listat e PS-së janë 30 kriminelë
Kandidatët për postin e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi kanë vijuar fushatën e tyre në bazë.
Basha ishte në Berat dhe në Kuçovë, ku deklaroi se premtimet e mazhorancës së re janë piramidale.
Demokratët e kanë kuptuar shumë mirë, tani kuptoje edhe ti shumë mirë, se për çdo person mbi të cilin do të godasë abuzivizmi yt, për të cilin je i famshëm në Tiranë, do të japësh llogari ligjore, financiare dhe politike para opinionit publik. Çdo orë e çdo minutë, demokratët do i kesh mbi kokë, për 300 mijë vende pune që ke premtuar për heqjen e taksës së biznesit të vogël, për shëndetësinë falas për çdo qytetar dhe të gjithë premtimet e tua piramidale që e dinë që sot se ske ndërmend ti mbash dhe ky do të jetë momenti, vëllezër e motra kur ne nuk do të jemi vetëm Partia Demokratike në opozitë, por Partia Demokratike në qendër të një fronti të gjerë opozitar, në fakt në qendër të mazhorancës morale të shqiptarëve, tha Basha.
Kurse Olldashi deklaroi në Gjirokastër e Përmet se në listat e Partisë Socialiste janë 30 kriminelë.
Edi Rama është i njëjti prototip politik që ka prodhuar korrupsion, abuzivizëm, klientelë politike dhe kërcënimi që iu bë Njazi Kosovrastit, përfaqësuesit të Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, nxori në sipërfaqe fenomenin e ri të PS-së, atë që ne kemi paralajmëruar gjatë gjithë fushatës, që brenda listës së Partisë Socialiste janë të paktën 30 njerëz me precedentë të fortë kriminalë. Pra ka një fenomen të kriminalizimit të Partisë Socialiste dhe të grupit të saj parlamentar, tha Olldashi.
Fakti që anëtarësia e partisë do të zgjedhë mënyrën sesi do të drejtohet në një të ardhme të afërt kjo strukturë gjigante, është për tu vlerësuar maksimalisht. Kjo forcë është ndërtuar për të fituar. Kjo forcë është themeluar për të rrëzuar muret e komunizmit. Ne kemi rrëzuar në 2005 muret e korrupsionit. Ne jemi të destinuar të rrëzojmë sa më shpejt të jetë e mundur, murin e krijuar mes kriminalitetit politik dhe parave të pista./ep