Rendi, për 100 ditë, Malësia e Madhe përmbysi rezultatin
Paulin Sterkaj tani është më i qetë. Por nuk ka qenë kështu gjatë fushatës elektorale. Megjithëse i sigurtë në një rezultat pozitiv, ish drejtuesi i njohur i rendit, që ka hyrë prej vitesh në politikë, thotë për JAVA se 23 qershori ka qenë një sfidë e madhe dhe e komplikuar me të shkuarën e afërt. Përmbysja që ndodhi në Shkodër, në raport me 2009, është padyshim pasojë direkte e votave masive që koalicioni i majtë mori në Malësinë e Madhe, ku Sterkaj drejtonte dhe kishte nën kontroll gjithçka.
Një logjikë e thjeshtë shifrash
Malësia e Madhe solli përmbysje masive votash në qarkun e Shkodrës, thotë Paulin Sterkaj, duke shtuar se fryma popullore qe më e fortë se çdo parashikim apo sondazh parazgjedhor. Shifrat flasin vetë dhe Sterkaj nuk ka nevojë të zgjatet më tej me komente. Në vitin 2009, pra katër vjet më parë, PD kishte 2800 vota më shumë se PS në zonën e Malësisë së Madhe. Kurse në zgjedhjet e 23 qershorit ky raport u përmbys totalisht. Kësaj radhe ishte PS që fitoi me 870 vota diferencë mbi kundërshtarët e tyre të djathtë.
Sterkaj shpjegon se ka qenë një rezultat që nga shumë anë tingëllon si i papritur, për një ambient si Shkodra dhe Malësia e Madhe. Për nga vështirësia, Malësia e Madhe është një nga zonat më sfiduese të Veriut, shprehet ai. Deputeti socialist thotë se ka punuar me një grup bashkëpunëtorësh, të cilët janë shpërndarë nëpër gjithë zonën, duke bërë fushatë derë më derë. Paulin Sterkaj shpjegon se votuesit e Malësisë së Madhe e bazojnë votën e tyre tek njohja dhe besimi ndaj kandidatëve. Në këtë aspekt, njohja e gjerë që ai ka krijuar me njerëzit, fushata aktive që ka bërë nëpër të gjithë territorin dhe besimi që ka krijuar tek votuesit e tij, kanë qenë hipoteka më e sigurt e votave që ai ka marrë ndër vite në Malësinë e Madhe. Ai shprehet qartë dhe thjeshtë, se kam një grup votuesish besnikë, që më ndjekin pas prej vitesh. Një veçori kjo e spikatur në këto zgjedhje, ku emri i kandidatit ka pasur në disa raste më shumë peshë se siglat e partive.
Stuhia perfekte kundër të djathtës
Zgjedhjet e 23 qershorit vunë për herë të parë bashkë Edi Ramën me Ilir Metën. Në qarkun e Shkodrës, ashtu si kudo në Shqipëri, kjo u përkthye në një aleancë solide mes PS e LSI, së cilës ju bashkua edhe partia e re kristian-demokrate, e cila arriti rezultatin surprizë të fitores së një mandati. Paulin Sterkaj shprehet se kjo listë koalicioni qe një ndër faktorët kryesorë që solli fitoren, duke synuar vota në çdo cep të qarkut dhe duke krijuar atë masë kritike votuesish të opozitës, që vunë në vështirësi fatale të gjitha bastionet e të djathtës, sidomos në zonën e Malësisë së Madhe. Pakënaqësia e zgjedhësve për politikat sociale, përmbytjet e shpeshta, klientelizmi politik i theksuar, i kultivuar nga drejtuesit lokalë apo ata qendrorë prej shumë vitesh, bënë që antipatia e shkodranëve për qeverisjen të vijë duke u rritur. Kësisoj, nuk ndodhi që kësaj radhe kryeqendra e Veriut të shkëputet nga tendenca kombëtare e votës. Qarku i Shkodrës votoi në një linjë me pjesën tjetër të territorit, duke përmbysur mandatet parlamentare të vitit 2009.
Fitorja u arrit, tani qeverisja
Paulin Sterkaj njihet jo vetëm për angazhimin politik, por edhe për faktin se është një ndër përfaqësuesit e njohur të policisë dhe rendit në vend. Ai thotë se tani që opozita triumfoi bindshëm në zgjedhje, mandatet që ajo do të ketë në Kuvendin e Shqipërisë i sigurojnë asaj të drejtën, por edhe përgjegjësinë, për reforma të shpejta dhe të thella, për shërimin e disa plagëve kronike nga të cilat vuan sot shoqëria shqiptare. Ndër to, vendosja e rendit publik mbetet njëra ndër përparësitë e absolute. Rendi mund dhe duhet vendosur për njëqind ditë, ashtu siç është premtuar nga ne gjatë fushatës elektorale, thotë Sterkaj. Ai kujton se situata sot nuk ngjason me atë të vitit 1997, kur e majta që mori pushtetin asokohe, arriti të luftojë kaosin dhe anarkinë në vend, duke vendosur një nivel të kënaqshëm rendi publik. Ka qenë shumë keq kur PS mori në dorëzim Shqipërinë pas piramidave, kjo e sotmja është një sfidë shumë më e lehtë, shprehet ai. Jam i bindur se me pak angazhim, seriozitet e profesionalizëm, qeveria e re do të arrinte të stabilizonte gjendjen shqetësuese të rendit, që përjetojnë aktualisht qytetet dhe provincat shqiptare.
Një siguri që Paulin Sterkaj e bazon në karrierën e tij të gjatë në forcat e rendit dhe në njohjen e gjerë që ka në territorin që përfaqëson në parlament, por edhe në pjesën tjetër të vendit.
