Basha: Kredi të buta për strehimin e 409 familjeve
Ka nisur mbledhja e Këshillit bashkiak të Tiranës. Gjatë fjalës së tyre këshilltarët e majtë kanë shprehur shqetësimin ndaj rritjes së taksave nga Bashkia kundrejt biznesit, cfarë sipas tyre po i con këto biznese drejt falimentimit. Në këtë kuadër Dalipi në emër të socialistëve bëri një kërkesë zyrtare për një mbledhje jashtë radhe me kryebashkiakun Basha për këtë problem. Lidhur me këtë kërkesë kryetari i këshillit Bashkiak Njazi Kosovrasti, theksoi se nëse këshilltarët socialistë kanë nevojë për përcaktimin e ndryshimeve rregullore le të bëhet propozimi.
Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës në parashtrimin e cështjeve që do të diskutohen është përqëndruar kryesisht tek personat në pamundësi dhe vështirësi financiare, duke premtuar vëmendje më të madhe të Bashkisë që drejton.
“Shqyrtimi i kërkesave për kredi të buta për strehim kanë marrë vëmendje të veçantë, ne kemi përfshirë për herë të parë kategori të personave në nevojë të cilët janë përfshirë edhe në vendimmarrje ku është përfshirë edhe zëri i këtyre kategorive. 409 kredi të buta për strehim janë parashikuar për 409 familje të kryeqytetit të cilat përbëjnë shtresat në nevojë dhe për dhënien e tyre do merret vendim”, u shpreh Basha.
Lidhur me përfundimin e procedurave të legalizimit të banesave ai tha se 74 familje kanë ende problem por falë lehtësirave të bashkisë ata do bëhen pronarë të banesave ku kanë jetuar prej kohësh.
Basha gjithashtu ka cekur dhe dy projekte në fushën e kulturës, krijimin e Galerisë për promovimin e artistëve të rinj dhe projektin për vendosjen e pllakës së Holokaustit.