Basha: Kualifikimi dhe punësimi i të rinjve, prioritet i Bashkisë së Tiranës

Stazh pune për nxënësit e shkollës profesionale “Gjergji Canco”
Bashkia e Tiranës u ka ofruar stazh pune nxënësve të Shkollës Teknike - Elektrike “Gjergj Canco”. 40 nxënës të kësaj shkolle po zhvillojnë për 3 muaj, stazhin e punës pranë Ndërmarrjes nr. 2 të Bashkisë së Tiranës. Gjatë periudhës së stazhit, këta të rinj paguhen me 80 dollarë, kjo mundësuar falë bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës dhe BB.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha, ka parë nga afër punën që po kryenin këta nxënës në rrugën “5 Maji”, ku së bashku me punonjësit e Ndërmarrjes numër 2, po
rehabilitojnë infrastrukturën e ndriçimit publik.
“Tirana nuk mund të harrojë dhe nuk do të harrojë, që përveç kategorisë së universitarëve dhe të diplomuarve, ka nevojë akute për profesionistë të fushave konkrete, siç janë elektricistët, hidraulikët dhe fushat e tjera e në këtë aspekt, ne do të vazhdojmë investimet tona, si për t’i dhënë tregut atë që kërkohet, ashtu edhe për t’u dhënë të rinjve kryeqytetas shanse më të mëdha për punësim” – u shpreh Kryebashkiaku Basha.
Kësaj iniciative të Bashkisë, i është bashkuar edhe kompania S.O.P.I, e cila ka ofruar ambientet dhe infrastrukturën e saj, për të ndihmuar në një trajnim sa më të mirë, sikundër ka marrë përsipër të punësojë 5 më të kualifikuarit e këtij kursi.
“Gjej rastin të falenderoj në mënyrë të veçantë, një kompani të kryeqytetit,kompaninë “S.O.P.I”, që i është bashkëngjitur kësaj iniciative, duke ofruar edhe ambientet e saj, për mirë-kualifikimin e këtyre të rinjve dhe për ofrimin, 5 stazhierëve më të mirë, 5 vende pune, në përfundim të stazhit. Dua t’u bëj thirrje edhe kompanive të tjera, që në bashkëpunim me ne, të shumëfishojnë këtë përvojë, pasi Tirana ka shumë të rinj të talentuar, si këta nxënës të Shkollës Teknike Elektrike të Tiranës por edhe të shkollave të tjera profesionale”- tha ai.
Andi Koçi, njëri prej stazhiereve e konsideron këtë si një rast shumë të mirë që ofrohet për nxënësit e kësaj shkolle, pasi sipas tij, mund të provojnë njohuritë e marra në shkollë dhe t’i vënë ato në praktikë.