Kryeministri Berisha në ceremoninë e çeljes së Lojërave Olimpike “Londër 2012”

Kreu i qeverisë i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Aldo Bumçi zhvilloi dhe një takim të shkurtër me ekipit olimpik shqiptar. Flaka Olimpike ndizet në Londër në orën 21:00
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ndodhet në Londër, ku ashtu si edhe krerët e tjerë të shteteve, do të ndjekë ceremoninë zyrtare të hapjes së Lojërave Olimpike 2012. Në këtë eveniment, Shqipëria përfaqësohet me një ekip që do të konkurrojë në 5 disiplina të ndryshme sportive. Në këtë vizitë Kryeministri shoqërohet edhe nga Ministri i Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, zoti Aldo Bumçi. Përpara zhvillimit të ceremonisë së hapjes, Kryeministri Berisha takohet edhe me sportistët shqiptarë të ekipit olimpik kuqezi, për t’i përshëndetur dhe uruar sukses, në një pritje të organizuar në ambasadën e Shqipërisë në Londër. Besimi i kreut të qeverisë është se sportistët shqiptarë do të dinë të tregojnë vlerat e tyre më të mira dhe se do të arrijnë të tejkalojnë rezultatet në disiplinat përkatëse, për tu paraqitur në mënyrë sa më dinjitoze në “Londër 2012” dhe pse jo për të realizuar ëndrrën për tu kthyer me medalje olimpike. Pas pezullimit të peshëngritësit Hysen Pulaku, Shqipëria tashmë do të konkurrojë vetëm me 10 sportistë në Olimpiadë. Nga peshëngritja do të konkurrojnë Romela Begaj, që është edhe flamurmbajtësja e Shqipërisë, por edhe Briken Calja, Daniel Godelli dhe Endri Karina për meshkuj. Atletika do të përfaqësohet nga Klodiana Shala në garën e 200 metrave dhe Adriatik Hoxha në hedhjen e gjyles, noti me Noel Borshin për femra dhe Sidni Hoxha për meshkuj, qitja me Arben Kuçanën dhe xhudo me Majlinda Kelmendin, që është edhe një prej pretendenteve më rezultat të lartë nga delegacioni kuqezi.
Kryeministri Berisha dhe bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha do të marrin pjesë në pritjen që Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar Elizabeta II do të zhvillojë në “Buckingham Palace”, për nder të liderëve botërore, që do të ndjekin ceremoninë zyrtare të hapjes së Lojërave Olipmike Londër 2012.
Përshëndetja e Kryeministrit Berisha për ekipin tonë olimpik “Së pari dëshiroj nga zemra të përshëndes sportistët tanë, të cilët sot kanë me vete mbarë kombin. Sytë e shqiptarëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e kudo që ndodhen janë të drejtuar tek ju, me urimin më të mirë për një sukses të dytë, pasi jam plotësisht dakord me Presidenten Jahjaga se suksesi i juaj i parë është që jeni këtu si përfaqësues të kombit shqiptar. Ndaj jam i bindur se në këtë garë, më e bukura që organizon njerëzimi, ju do të nderoni veten dhe kombin tuaj. Dua t’ju bëj një urim të dytë të përzemërt. Ju vini këtu si ekipi i një kombi të bashkuar dhe kjo e ka simbolikën e madhe. Majlinda, ti je faktori më kryesor i këtij ekipi të përbashkët dhe të gjithë jemi tifozët e tu dhe kemi shumë besim se ky akt i yti do të kurorëzohet me suksesin që ti meriton dhe të gjithë sportistët tanë meritojnë. Dua gjithashtu të përshëndes këtu mikpritësit, qeverinë britanike, për këtë organizim të shkëlqyer që ka bërë, në një vit ndër të rëndësishmin për Britaninë e Madhe, por edhe për botën, në vitin e jubileut të diamant të Mbretëreshës Elisabet, një personalitet sa britanik, aq edhe botëror. Këtu kemi shumë miq dhe një ndër ta është ambasadori Stive Nesh, John Van Weenen e të tjerë. Ambasadori Nesh pas misionit të tij të suksesshëm në Shqipëri i është përkushtuar shoqatës Britaniko-Shqiptare. Kjo shoqatë është ndofta shoqata më e suksesshme shqiptare në këto 100 vite. Ajo ka pasur në gjirin e saj personalitete të jashtëzakonshme, që i deshën shqiptarët me ndjenjat më të pastra, që bënë avokatinë e shqiptarëve, në këto 100 vjet, në mënyrë të pandërprerë. Ne u jemi shumë mirënjohës anëtarëve të kësaj shoqate, personaliteteve të shquara, miq të mëdhenj të kombit shqiptar, të cilët kanë një kontribut të madh në lirinë e shqiptarëve në këto 100 vite. Këtu kemi edhe miq të tjerë, njëri nga të cilët është John Van Weenen, një lloj Nënë Tereze për Shqipërinë e shqiptarët. Dua t’ju rrëfej një moment për mikun tim të dashur. Në vitin ’91, kur vendi ishte buzë një katastrofe reale njerëzore John mobilizoi ndihma humanitare dhe në krye të një karvani, erdhi në Shqipëri dhe e vërteta është se pas ndihmave humanitare të Komisionit Europian dhe Italisë, ndihma e John ishte e treta më të mëdha. John është një mik i shkëlqyer i Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe ne jemi shumë krenar me të. Ai është njëkohësisht edhe konsulli ynë i nderit. Ai ka marrë të gjitha nderimet, jo vetëm nga autoritetet shqiptare, por edhe nga madhëria e saj Mbretëresha, për aktivitetet e tij në mbështetje të kombit shqiptar.
Dua të falënderoj gjithashtu zyrtarët e Foreign Office dhe të gjithë të pranishmit këtu, për mikpritjen dhe organizimin e shkëlqyer të kësaj veprimtarie. Edhe një herë, ju uroj të dashur sportistë, suksese dhe jam i sigurt se suksesin e parë që kishit me ardhjen tuaj këtu, do ta shoqëroni me një sukses të dytë, duke zënë vendet që meritoni.”
...