Kadare fiton betejën e parë, dorëshkrimi shkon në Arkiv
Tiranë- Ismail Kadare fiton betejen e parë me Nexhmije Hoxhën, teksa dorëshkrimi original i veprës Dimri i Vetmisë së Madhe i është dorëzuar Arkivës së Shtetit.
Vendimi i Gjykatës së Tiranës, që vendosi se dorëshkrimi do të ruhet përkohosisht në arkivë, është ekzekutuar pasditen e sotme.
Dorëshkrimi u dorëzua në prani të avokatëve mbrojtës të Nexhmije Hoxhës dhe Ismail Kadaresë, si dhe të një përmbaruesi.
Shkrimtari Ismail Kadare kërkon të rifitojë të drejtat e autorit për dorëshkrimin e veprës, e cila sipas padisë së tij, iu mor nga shtëpia në vitin 1972 nga Nexhmije Hoxha.
Bëhet e ditur se në bazë të këtij proçesverbali të firmosur nga palët janë 1.252 faqe të inventarizuara tashmë, ashtu siç edhe gjyqtari kërkoi të enjten gjatë shpalljes së vendimit, në një kohë që dueli gjyqsor mes Kadare dhe ish-bashkëshortes së Enver Hoxhës do të vijojë në shtator.
Nga ana e saj, Hoxha pretendon se dorëshkrimi i është dhuruar, por Kadare në padinë e tij vëren se gjatë një vizite Nexhmije Hoxha i kishte kërkuar ta merrte dorëshkrimin për shkak të ambjentit dhe ai nuk kishte se si të refuzonte gruan më të fuqsishme të regjimit.
/IDEA/