E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Marrëveshja, fryt i besimit që ka krijuar policia shqiptare

22-12-2010 / Gazeta 55

Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar për shkëmbimin e informacionit kriminal

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha dhe Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar Znj. Fiona Mcllëham nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit mes të dy vendeve në fushën e shkëmbimit të informacionit kriminal. “Nënshkrimi i marrëveshjes së sotme është simbolik në disa plane. Së pari simbolizon shkallën e lartë të besimit që ka fituar policia shqiptare nëpërmjet punës dhe rezultateve të kësaj pune. Së dyti simbolizon një shkallë të re të bashkëpunimit, e cila sot ndërtohet me policinë britanike, është në planifikim dhe ndërtim e sipër me policitë e disa prej vendeve të tjera të mëdha të BE dhe natyrisht ky është një votëbesim i aftësive të policisë shqiptare, demonstruar nëpërmjet rezultateve të saj në luftë kundë krimit të organizuar, duke përfshirë këtu krimin e organizuar transkufitar dhe që do të çojë në nënshkrimin së shpejti të marrëveshjes operative edhe me EUROPOL-in”- u shpreh ministri i Brendshëm. Duke shprehur bindjen se nënshkrimi i marrëveshjes me Britaninë e Madhe do të japë rezultate të prekshme brenda një kohe të shkurtër, ministri Basha theksoi edhe njëherë vullnetin e qeverisë Berisha për luftë me tolerancë zero kundër krimit të organizuar për ta bërë Shqipërinë vendin me koston më të lartë dhe fitimet më të ulëta për krimin e organizuar. “Konsolidimi i mëtejshëm i bashkëpunimit me policitë e vendeve të BE mbetet prioritet kryesor i qeverisë dhe në këtë kuadër një dëshmi e fortë se puna e palodhur e Policisë së Shtetit dhe organeve të tjera të zbatimit të ligjit, e cila çoi në vendimmarrjen historike të heqjes së vizave jo vetëm nuk ndalon, jo vetëm nuk ngadalësohet, por intensifikohet më tej”- deklaroi ministri Basha. Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar Znj. Fiona Mcllëham e cilësoi marrëveshjen një mjet të rëndësishëm që do të ndihmojë në bashkërendimin e punës mes strukturave policore shqiptare dhe britanike. “Kjo marrëveshje do të thellojë edhe më tej bashkëpunimin mes të dy vendeve. Policia shqiptare ka bërë progres në luftën kundër krimit të organizuar dhe transkufitar dhe qeveria britanike do të japë mbështetjen e plotë  për forcimin e kapaciteteve të Shqipërisë në këtë luftë”- u shpreh ambasadorja Mcllëham.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›