Basha: Mbetem i sigurt në fitore
Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, tha dje se ngadalësimi dhe bllokimi i numërimit të votave nuk i shërben qytetarëve. “Në fillim dua të falënderoj të gjithë komisionerët, numëruesit dhe vëzhguesit, një pjesë e të cilëve kanë punuar gjithë natën për të siguruar një proces të ndershëm të numërimit të votës. E di që shumë nga ju janë të lodhur, dhe në emër të gjithë qytetarëve dua t’iu falenderoj për punën që bëni.
Ne kemi parë këto ditë demokracinë të funksionojë. Ka ende shumë vota për tu numëruar dhe unë jam i angazhuar të pres që këto vota të numërohen në mënyrë korrekte dhe të ndershme. Sytë e gjithë botës janë drejtuar në Tiranë, dhe është e rëndësishme që ky proces të vazhdojë dhe qyteti ynë të ndihet krenar për zgjedhjet që bëri”, tha dje Basha. Ai theksoi se e rëndësishme është që të numërohet çdo votë. “Megjithëse tendenca e rezultatit shkon në drejtimin tonë, dhe unë mbetem i sigurt në fitore, asnjë kandidat nuk duhet të paragjykojë votën ende pa u dëgjuar zëri i secilit qytetar. Të gjithë zërat duhet të dëgjohen, të gjithë votat duhet të numërohen. Çdo ngadalësim dhe bllokim i numërimit të votave, nuk i shërben qytetarëve dhe Tiranës”, tha ai