E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: PD po tenton të cenojë votën e Tiranës

TIRANË Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi mbrëmë se mazhoranca po tenton të cenojë votën e shqiptarëve në kryeqytet, duke iu afruar kutive të votimit, ndërkohë që paralajmëroi se socialistët po monitorojnë çdo lëvizje. “Si çdo dramë, që ka dhe aspektin e vet komik, i lutem gjithë qytetarëve ta shohin duke buzëqeshur komedinë që luhet në anën tjetër, me një përpjekje për të fshehur atë që nuk fshihet dot, humbjen por ama pa mundur të fshehin dëshpërimin se është vijim i pamundësisë, për të përmbajtur dhe fshehur dëshpërimin me përpjekjen për të cenuar çdo minutë rezultatin e Tiranës dhe për t’ju afruar numëruesve dhe kutive, por që është një përpjekje nën monitorimin tonë, jo vetëm në qendrat e votimit dhe ju siguroj që nuk mund të cenojnë asnjë rezultat”, - tha Rama. Ai theksoi edhe njëherë premtimin e bërë para qytetarëve, për ruajtjen e votës së tyre, duke shtuar se fitorja e Tiranës ndodhet në kutitë e votimit. “Fuqia e kësaj force ka mbaruar dhe nuk mund të prekë dot asgjë. Ne u kemi premtuar qytetarëve se ata kanë detyrë të votojnë, ne kemi detyrë të mbrojmë çdo votë që gjendet në kuti. Fitorja në Tiranë është në kutitë e votimit. Ajo që ndodh është thjesht dhe vetëm shpërfaqja e atij shëmtimi që e ka shoqëruar fushatën elektorale, që është në grahmat e saj të fundit”, - tha Rama. Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka mbajtur këtë qëndrim, teksa është shfaqur dje në disa dalje publike, duke prezantuar njëherësh edhe kryetar bashkish që kanë fituar bastione të djathta nën siglën e të majtës, si Shëngjini dhe Rrësheni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›