Basha: Mbyllet kapitulli i abuzimit me çmimet në Tiranë
Këtë vit do të mbyllet kapitulli i abuzimit me çmimet në kryeqytet dhe do të nisë një marrëdhënie e re mes Bashkisë, tregjeve dhe konsumatorëve të Tiranës”. Kështu ka deklaruar kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili së bashku me nënkryetarin Edmond Panariti, drejtorin e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit (AMK), të Policisë Bashkiake dhe drejtues të Tatim-Taksave, kanë parë nga afër situatën e çmimeve në tregjet me shumicë tek ish-uzina “Dinamo” dhe tregu “Avni Rustemi”. Edhe gjatë ditës së djeshme çmimet në tregje nuk kanë pasur rritje abuzive, madje ka vazhduar tendenca në rënien e çmimit të disa produkteve. Kreu i Bashkisë e ka konsideruar suksesin e deritanishëm inkurajues, sikundër nënvizoi se java e ardhshme është vendimtare, për të parë nëse kjo përqasje ka dhënë sukses të plotë.“Unë kam besim të plotë, se me të njëjtin vetëndijësim që tregtarët këtu dhe i gjithë zinxhiri deri tek grosistët kanë reaguar ndaj këtij shqetësimi legjitim të qytetarëve, të cilin sot e përfaqëson Bashkia nëpërmjet inspektimeve të saj, do të vazhdojë edhe këtë javë dhe që çmimet do të mbeten në suazën, kuadrin e çmimeve normale”, - tha Basha. Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka shprehur vendosmërinë për të vazhduar me monitorimin dhe masat që parashikon ligji, në mënyrë që këtë vit të mbyllet kapitulli i abuzimit me çmimet në Tiranë. Lidhur me informaltetin, Basha është shprehur se ai është një formë e dëmtimit të konkurrencës dhe nuk do të tolerohet, ndërsa ka paralajmëruar se do të licencohen të gjithë tregtarët që e kërkojnë një dokument të tillë.