E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhet buxheti i Tiranës, ku do shkojnë 700 milionë dollarë

SHKRUAN: Jonida Tashi 24-12-2011 11:16

Dhjetë programet buxhetore që do të financohen nga buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin e ardhshëm, dhe projektet që do të mbështeten me kredi dhe donacione

Buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin e ardhshëm që kap shifrën 70 milionë dollarë, do të shkojë për infrastrukturën rrugore, ndërtimin e godinave të reja arsimore dhe rikonstruksionin e atyre ekzistuese, si dhe për shërbimet sociale për qytetarët. Tashmë drafti i projektbuxhetit të vitit 2012 është gati, ndërkohë që miratimin e tij nga këshilli bashkiak ai do ta marrë në mbledhjen që do të mbahet në ditët e fundit të këtij muaji. Sipas këtij drafti, prej më shumë se 100 faqesh, programet prioritare për vitin 2012 do të jenë pikërisht funksionet më të rëndësishme të pushtetit vendor, që kanë të bëjnë me mjedisin dhe rikualifikimet urbane, infrastrukturën rrugore, arsimin parauniversitar dhe edukimin, transportin publik dhe sinjalistikën. Më konkretisht, mjedisi dhe rikualifikimet urbane si pjesë e shërbimeve publike do të financohen me një fond total (nga të gjitha burimet) në shumën rreth 2.3 miliardë lekë, që përbën 32% të totalit të buxhetit për vitin 2012. Infrastruktura rrugore, ku përfshihet ndërtimi i rrugëve të reja dhe rehabilitimi i mjaft të vjetrave, do të mbështetet me një fond total prej 1.2 miliardë lekësh, që zë 16% të buxhetit total. Gjatë vitit të ardhshëm do të ndërtohen rreth 65.000 m2 rrugë dhe 33.000 m2 rrugë të reja; do të rikonstruktohen 153.000 m2 rrugë ekzistuese dhe 79.000 m2 trotuare; do të ndërtohen dy ura dhe Qendra e Kontrollit të Trafikut on-line.

Programi i arsimit parauniversitar do të financohet me një fond total në shumën 1.1 miliardë lekë, që përbën po16% të buxhetit. Përveç rikonstruksioneve dhe ndërtimeve në vazhdim, gjatë vitit 2012 do të ndërtohen 5 shkolla të reja 9-vjeçare; 2 shkolla të reja të mesme; do të rikonstruktohen plotësisht 8 shkolla; do të ndërtohen 3 kopshte dhe rehabilitohen 11 të tjera. Në buxhetin e ri, Bashkia e Tiranës i ka kushtuar vëmendje të veçantë edhe mbështetjes me fonde të politikave të saj sociale, si: ngritja e 6 qendrave të reja sociale; përmirësimi dhe zgjerimi i shërbimeve në qendrat ekzistuese; bonusi i qirasë për familjet në nevojë; programi i integrimit të të pastrehëve; më 2012 do të fillojë funksionimi i banesave sociale; janë parashikuar lehtësi fiskale për kategoritë në nevojë, pensionistë dhe veteranë; studime dhe projektime për ndërtimin e banesave të reja sociale nëpërmjet përdorimit eficient të aseteve të Bashkisë, si dhe partneritetit publik-privat.

Buxheti 2012

Plani i të ardhurave

Plani i të ardhurave të Bashkisë së Tiranës për vitin 2012 është në shumën 7.049.346.000 lekë, detajuar si më poshtë:

Të ardhura nga taksat dhe tarifat vendore 6.157.168.000 lekë

Të ardhura tatimore 4.593.600.000 lekë

Të ardhura jotatimore 1.563.568.000 lekë

Të ardhura nga transferta e pakushtëzuar 892.178.000 lekë

Totali 7.049.346.000 lekë

Plani i shpenzimeve

Plani i shpenzimeve të Bashkisë së Tiranës për vitin 2012 është në shumën 7.049.346.000 lekë, detajuar si më poshtë:

Shpenzime korente 4.717.331.000 lekë

Shpenzime kapitale 2.332.015.000 lekë

Totali 7.049.346.000 lekë

Transferta e pakushtëzuar nga buxheti i shtetit 892.178 000 lekë

Transferta për njësitë bashkiake 400.000.000 lekë

Programet buxhetore

Totali i shpenzimeve të Bashkisë së Tiranës (korente dhe kapitale) në lekë për çdo program mbështetur në të ardhurat e veta është si më poshtë:

Programi në mijë lekë

1. Shërbimet publike vendore 2,245,663

2. Menaxhimi i rrugëve dhe transportit publik 1,149,157

3. Arsimi parauniversitar dhe edukimi 1,138,269

4. Kujdesi social 165,372

5. Strehimi dhe planifikimi i territorit 613,398

6. Zhvillimi ekonomik dhe punësimi 142,760

7. Kultura dhe turizmi 139,578

8. Zhvillimi i rinisë dhe sportit 158,431

9. Planifikim-menaxhimi dhe administrimi 1,079,418

10. Rendi dhe mbrojta civile 217,300

Total 7,049,346

Huatë e Bashkisë, projektet që do financohen me kredi

Kreditë e përfituara nga Bashkia e Tiranës përbëjnë një detyrim prej 26.9 milionë eurosh. Bashkia është përfituese e tri kredive të rëndësishme, të cilat prekin infrastrukturën rrugore, arsimore dhe atë sociale. Këto kredi janë përfituar nga dy institucione të rëndësishme financiare ndërkombëtare, përkatësisht Banka e Këshillit të Europës dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Në buxhetin e Bashkisë parashikohen çdo vit detyrimet nga marrëveshjet e kredive të mëposhtme. Për vitin 2012, këto detyrime janë parashikuar në shumën 569.364.829 lekë.

Të përmbledhura, projektet e financuara me kredi janë:

Programi i menaxhimit të rrugëve dhe transportit rrugor, 8.200.000

Zhvillimi i rrugëve, tri segmente të Unazës ekzistuese 5.200.000 BERZH

Ndërtimi i urës te Shkolla Teknologjike 1.100.000 BERZH

Ngritja e Qendrës së Kontrollit të Trafikut 1.900.000 BERZH dhe Bashkia

Programi i arsimit parauniversitar 12.400.000

Rehabilitimi i shkollave 12.400.000 CEB

Programi i strehimit dhe urbanistikës vendore 6.347.000

Ndërtimi i banesave sociale 6.347.000 CEB dhe Bashkia

Totali 26.947.000

Donacione

Mbështetur në programin e ngritjes së fondeve dhe në procesin e bashkëpunimit dhe koordinimit të partnerëve ndërkombëtarë e vendas që operojnë në Tiranë, Bashkia e Tiranës në përputhje me prioritetet e vendosura për vitin 2012 dhe të projekteve që janë në vijimësi parashikon të realizojë nëpërmjet projekteve me donatorë shumat si më poshtë: 10,145,000 lekë; 1,677,600 USD; 77,429,98 euro; 969,006,98 aplikime në pritje. Donacioni më i rëndësishëm për Bashkinë e Tiranës është ai për projektin e rigjallërimit të sheshit “Skënderbej”, faza e dytë, në vlerën 5,500,000 euro, kontribut nga Amiri Diwan të shtetit të Kuvajtit

Parkimi nëntokësor, mbi 1 mijë vende te sheshi “Italia”

Kontrata koncesionare do të jetë 35-vjeçare, tarifat e parkimit do të vendosen nga Bashkia e Tiranës

Nis gjatë vitit të ardhshëm projekti për ndërtimin e parkimit nëntokësor në kryeqytet, një investim me vlerë 1.638.020.000 lekë. Bashkia e Tiranës ka bërë gati termat kryesorë të kontratës 35-vjeçare koncesionare mbi parkimin nëntokësor në sheshin “Italia”, që do të zbatohet nga shoqëria “Gener 2”, oferta e vetme që është vlerësuar edhe me shumën totale të pikëve 101. Lloji i koncesionit të parkimit nëntokësor në sheshin “Italia” pranë stadiumit “Qemal Stafa” do të jetë i formës BOT, që do të thotë ndërtim, operim dhe transferim. Kryetari i Bashkisë së Tiranës do t’i kërkojë këshillit bashkiak të miratojë dhënien në përdorim të truallit, përkatësisht sipas sipërfaqes të pasqyruar në genplan, për efekt të dhënies me koncesion të parkimit nëntokësor për periudhën 35-vjeçare, të nëntokës së ndodhur në zonën kadastrale 8160 (pasuria nr.7/2,3,6,8,9,25,26) në favor të subjektit “Gener 2” sh.p.k. Objekti ndërtimor “parkimi nëntokësor” që do të realizohet nga koncesionari i lartpërmendur mbi bazën e kontratës koncesionare, me vendndodhje në nëntokën e zonës së përcaktuar, do t’i kalojë në pronësi Bashkisë së Tiranës në përfundim të periudhës koncesionare. Koncesionari detyrohet që, pas ndërtimit të objektit dhe përpara fillimit të operimit të shërbimit, të realizojë punimet që të kthejë mbitokën në destinacionin aktual, përkatësisht në shesh publik, siç është tani. Gjatë periudhës së operimit të shërbimit, koncesionari do të aplikojë tarifat e miratuara nga këshilli bashkiak në përputhje me politikën tarifore të Bashkisë së Tiranë. Treguesit e kthimit të investimit për këtë koncesion do të jenë tarifat referencë të parkimit (përfshirë edhe pajtimet periodike). Vlera e tarifave referencë të parkimit nëntokësor (përfshirë edhe pajtimet periodike), do të rillogariten automatikisht mbi bazën e normës së inflacionit jo më pak se çdo 3 vjet. Bashkia e Tiranës, në hartimet e politikave rregullatore të parkimeve duhet të marrë në konsideratë nevojën për të mos sjellë pasoja që ndikojnë ose cenojnë uljen e mundësisë për të arritur treguesin minimal të zënies së këtij parkimi nëntokësor, brenda zonës/fushave të përcaktuara në kontratë. Po kështu, përpara fillimit të operimit të shërbimit nga koncesionari, Bashkia e Tiranës duhet të miratojë “tarifat e zbatueshme” që do të aplikohen për parkimin nëntokësor. Deri në marrjen e një vendimi të tillë nga këshilli bashkiak, për këtë koncesion do të aplikohen “tarifat referencë të parkimit”, përderisa nuk bien në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi në momentin e zbatimit. Në këtë fazë, një vendim i tillë i këshillit bashkiak është i detyrueshëm. Në rast se “tarifa e zbatueshme” është më e ulët se “tarifa referencë e parkimit”, Bashkia e Tiranës do të ndërmarrë politika dhe vendime që ndikojnë në kompensimin e efektit financiar negativ.

Tarifat referencë të parkimeve nëntokësore si dhe pajtimet periodike

Tarifa e parkimit

Ora I, 150 lekë/orë

Ora 2-4, 54 lekë/orë

Ora 4-8, 48 lekë/orë

Ora 8-12, 44 lekë/orë

Biletë ditore, 361 lekë

Biletë nate, 22-07, 351 lekë

Biletë mujore, 10.833 lekë

Tarifa koncesionare 10%

Numri maksimal i vendparkimeve në total 1008

Numri maksimal i vendparkimeve për kategori të veçanta 24 vende

Tarifat e parkimit për kategori të veçanta

Ora 1, 31 lekë/orë

Ora 2-4, 31 lekë/orë

Ora 4-8, 31 lekë/orë

Ora 8-12, 31 lekë/orë

Biletë ditore, 133 lekë

Biletë nate, 22-07, 279 lekë

Biletë mujore, 4.000 lekë

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›