Basha: Në krye të Bashkisë edhe për të paktën 6 vjet

Kryetari i Bashkisë, para parlamentit rinor: “Investimi tek rinia gjimnaziste e Tiranës, investimi më i mirë për të ardhmen e qytetit”
Pranë Bashkisë së Tiranës ka nisur zyrtarisht funksionimin Këshilli Rinor i Tiranës. Ky Këshill përbëhet nga 48 anëtarë, “presidentë” dhe “kryeministra” të 24 shkollave të mesme dhe profesionale të Tiranës. Më datë 25 janar, anëtarët e Këshillit Rinor kanë zhvilluar zgjedhjet për kryetar dhe nënkryetar të Këshillit. Në postin e Kryetarit është zgjedhur Fatjona Kulla, “presidente” e shkollës “Qemal Stafa” dhe nënkryetarë Abel Bejko, “president” i shkollës së Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi”, Fiona Metaliaj “presidente” e shkollës “Besnik Sykja”.
Në hapje të mbledhjes së parë të këtij Këshilli, Kryebashkiaku Basha tha se Bashkia e Tiranës e konsideron investimin tek rinia gjimnaziste e Tiranës, si një ndër investimet më të mira për qytetin e Tiranës, për qytetarët e saj.
“Dua t’ju them se si kryetar i Bashkisë së Tiranës, unë e konsideroj partneritetin me rininë gjimnaziste të Tiranës shumë të rëndësishëm për qytetin. Kjo do të thotë se Bashkia e Tiranës konsideron investimin tek rinia gjimnaziste e Tiranës, si një ndër investimet më të mira për qytetin e Tiranës, për qytetarët e saj. Nëse dikush ka ndonjë argument kundër me këtë çështje, unë jam i gatshëm ta dëgjoj. Me siguri në këtë sallë jo, por edhe jashtë kësaj salle! Kjo është arsyeja që Bashkia e Tiranës ka vendosur të investojë resurse njerëzore dhe financiare për të mbështetur axhendën e gjimnazeve dhe gjimnazistëve të Tiranës”, u shpreh kryebashkiaku Basha.
Kryetarja e Këshillit Rinor Fatjona Kulla tha se Këshilli Bashkiak Rinor do t’i japë fokusin e duhur rinisë, duke e bërë atë një kontribuues të rëndësishëm në hartimin dhe zbatimin e politikave vendore.
Nga ana e tij, kryebashkiaku Lulzim Basha ka kërkuar që para Shën Valentinit, të jetë mbyllur kalendari me miratimin nga Këshilli Rinor. Kreu i Bashkisë u është përgjigjur më pas pyetjeve dhe ka marrë sugjerime nga të rinjtë. Një ndër sugjerimet ishte përfshirja në këtë projekt edhe e shkollave të mesme private të Tiranës.
Po kështu, Kryebashkiaku shprehu mbështetje të plotë për projektin e shkollës “Çajupi”, për riciklimin e mbetjeve dhe kërkoi nga Këshilli Rinor, që një iniciativë e tillë të përhapet edhe në shkollat e tjera. Basha ka garantuar “kryeministren” e shkollës “Qemal Stafa”, që rikonstruksioni dhe shtesa e saj do të nisë menjëherë pas përfundimit të këtij viti shkollor, sikundër me përjashtim të pesë shkollave të mesme të cilat do të kompletohen në 2014, të gjitha shkollat e mesme të tjera do të përfundojnë instalimin e sistemit të ngrohjes në vitin 2013.
Basha u shpreh i gatshëm të vërë në dispozicion resurset e Bashkisë, që përveç olimpiadave të matematikës, fizikës dhe biokimisë, të organizohen edhe ato të historisë, gjeografisë dhe gjuhëve të huaja, ku fituesit do të mund të zhvillojnë ture gjeografike, historike në Evropë, apo të vizitojnë kryeqytetet e vendeve që flitet gjuha në të cilën janë shpallur fitues.
Ndërkaq, maturantët e kryeqytetit kanë shprehur shqetësimin për trajtim të pabarabartë me maturantët e rretheve apo zonave në periferi të Tiranës, duke u dhënë atyre në mënyrë të padrejtë arritjen e rezultateve të larta në provimet e maturës shtetërore. Kryebashkiaku Basha ka garantuar se do të bëhet zëdhënës i tyre, jo vetëm pranë Ministrisë, por dhe Këshillit të Ministrave.
“Aplikimi në formë diskriminuese i masave që ndëshkojnë studentët apo gjimnazistët e Tiranës duhet të marrë fund dhe në prag të provimeve do të kërkoj që masa për të parandaluar kopjimin, të aplikohen në të gjithë vendin njësoj”, tha Basha.
Në këtë takim kishte edhe nga ata të rinj, siç ishte “presidentja” e shkollës “Çajupi”, Fatjona Kulla që kishin filluar planifikimin, për të zënë karrigen e Kryebashkiakut Basha, i cili në fakt u shpreh i vendosur që të paktën për 6 vjet, të mos e lironte atë.
Presidentja e gjimnazit ‘Çajupi’: “Unë nuk kisha një kërkesë, por më ngeli merak që nuk e thashë. Thjesht, unë dua të ulem tek ajo karrigia juaj aty!”.
Përgjigja e kryebashkiakut Basha ishte se, ajo duhet të presë të paktën dhe për 6 vite.
“Në qoftë se nuk do të thoje: ‘do të ulem një herë, por do të kishe thënë vetëm, dua të ulem te karrigia...’, duhet të presësh të paktën 6 vjet”.