E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezoluta e KiE-së: Përmirësoni Kodin Elektoral për zgjedhjet e ardhshme

Në një rezolutë të Këshillit të Europës të diskutuar dje në Strasburg mirëpritet përfundimi zyrtarisht i zgjedhjeve lokale 2011, ndërsa vihet në dukje angazhimi i liderit të Partisë Socialiste për t’i dhënë fund bojkotit në Parlament.

Strasburg- Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës diskutoi dje një draft-rezolutë mbi situatën politike në Ballkan, i përgatitur nga raportuesi i komisionit për Çështjet Politike, suedezi Björn von Sydow. Rezoluta përfshin edhe një kapitull të veçantë për Shqipërinë, ku është pasqyruar gjerësisht situata post-zgjedhore dhe angazhimi i dy partive kryesore në vend lidhur me reformën e ardhshme elektorale. Konkretisht,

në rezolutë mirëpritet përfundimi zyrtarisht i zgjedhjeve lokale 2011, ndërsa vihet në dukje angazhimi i liderit të Partisë Socialiste për t’i dhënë fund bojkotit në Parlament. Në të njëjtën kohë, inkurajohen të gjitha partitë që të forcojnë pa vonesë funksionimin e tyre të brendshëm, të punojnë drejt normalizimit të situatës politike dhe të nisin dialogun politik brenda Parlamentit mbi reformat kyçe dhe të domosdoshme që duhen ndërmarrë. Në përmbajtjen e rezolutës mirëpritet edhe marrëveshja e arritur mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për të vazhduar punën me reformën elektorale, duke u bërë thirrje atyre që reforma e ardhshme të ketë parasysh problemet dhe të metat që u hasën si në zgjedhjet parlamentare ashtu edhe në ato lokale, si dhe të rrisë mundësitë që partitë e vogla të hyjnë në Parlament. Lidhur me procesin e reformës elektorale, në draftrezolutë rekomandohet se duhet të merret parasysh këshilla e Komisionit të Venecias. Lidhur me këtë, raportuesi Björn von Sydow kujton gjithashtu se Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës i ka shkruar autoriteteve shqiptare duke i informuar për qëllimin e tij për t’i kërkuar Komisionit të Venecias një opinion sesi mund të evitohen problemet e vëna re gjatë zgjedhjeve lokale të 8 Majit. Ndaj ai i bën thirrje Asamblesë të mbështesë propozimin e Jagland-it për të përmirësuar dhe qartësuar Kodin Elektoral për zgjedhjet e ardhshme. Gjithashtu, rezoluta informon se anëtarët e komisionit të monitorimit do të rikthehen në Shqipëri në tremujorin e tretë të këtij viti, për të vlerësuar progresin e bërë sa i përket zbatimit të detyrimeve dhe angazhimeve të Shqipërisë ndaj Këshillit të Europës. “Është shumë e rëndësishme që ngërçi politik të mos vazhdojë të paralizojë procesin legjislativ...,”- thuhet në rezolutë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›