E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: OSBE-ja, garante e sigurisë dhe e standardeve

Shqipëria e konsideron OSBE-në garante të vlerave të sigurisë dhe një organizëm thelbësor për vendosjen e standardeve, veçanërisht në dimensionin human dhe politiko-ushtarak të sigurisë. Këtë gjë bëri dje të ditur ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, në ditën e dytë të punimeve të Ministerialit të 16-të të OSBE-së, që po zhvillohet në Helsinki (Finlandë). Ministri Basha mbajti një fjalë gjatë së cilës theksoi rolin e OSBE-së në sistemin e sigurisë në Evropë. Sipas z. Basha, "ky është vendi i duhur për të kujtuar se aktiviteti aktual i OSBE-së është i bazuar mbi trashëgiminë e pasur të procesit të Helsinkit, që për më shumë se 30 vjet ka nxitur çështjen e lirisë dhe demokracisë në të gjithë zonën e OSBE-së. Në të vërtetë, ndryshimet demokratike dhe transformimet paqësore në Evropën Lindore nuk do të ishin materializuar pa kontributin e OSBE-së". Në këtë drejtim, ministri Basha vuri në dukje se dokumentet bazë të OSBE-së nga Akti Final i Helsinkit te Karta për Sigurinë Evropiane, ruajnë parimet themelore të konceptit bashkëkohor të sigurisë, demokracisë, respektit për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, shtetit të së drejtës dhe integritetit territorial. "Shqipëria mbështet fuqimisht veprimtarinë e OSBE-së që ka për qëllim forcimin e këtyre parimeve dhe vlerave, përfshirë angazhimin në luftën kundër intolerancës dhe diskriminimit", - tha ministri Basha. Kreu i diplomacisë shqiptare konfirmoi dhe një herë vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të marrë kryesinë e radhës së OSBE-së në vitin 2012, si dhe u ndal në zhvillimet në Kosovë dhe rajon. Në mbështetje të kandidaturës shqiptare për kryesinë e OSBE-së për vitin 2012, ministri Basha theksoi: "Shqipëria ka dëshmuar se ka ndërtuar kapacitetet e nevojshme për një kontribut të tillë, bazuar në një përvojë disavjeçare të drejtimit të suksesshëm në disa forume të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare". Në këtë kuadër, ai shprehu bindjen se "tradita jonë shekullore e dialogut dhe mirëkuptimit fetar e kulturor do të përbëjnë një vlerë të shtuar për kryesinë e organizatës". Duke u ndalur tek zhvillimet në Kosovë, ministri Basha nënvizoi progresin e bërë gjatë 10 muajve të fundit, sidomos në drejtim të ndërtimit të një shteti demokratik dhe multietnik, në përputhje me Planin Ahtisari. "Pavarësia e Kosovës e ka stabilizuar rajonin tonë", - theksoi Ministri Basha. Në vijim, ministri Basha vuri në dukje se të gjitha vendet e rajonit po bëjnë progres të dukshëm në rrugëtimin e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Ai shtoi se perspektiva evropiane dhe euroatlantike e Ballkanit Perëndimor nuk ka qenë kurrë kaq e qartë. Në fund të fjalës së tij, ministri i Jashtëm uroi kryesinë greke të OSBE-së për vitin 2009, si dhe siguroi për mbështetjen e Shqipërisë në zbatimin e prioriteteve të saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›